Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij sot në Elbasan me rastin e Ditës së Verës, zhvilloi një takim me përfaqësues të familjeve elbasanase, ku përcolli urimet për festën tradicionale dhe ndau mesazhe për situatën politike në vend.
Në fjalën e tij, Berisha e cilësoi Elbasanin si një qytet me rol të rëndësishëm në historinë dhe kulturën shqiptare, duke vlerësuar gjithashtu traditën e festimit të Ditës së Verës.
“Është një nder shumë i veçantë për mua t’ju takoj ju, përfaqësuesve të familjeve të këtij qyteti të bekuar, këtij qyteti që ka qenë burim drite dhe frymëzimi dhe mbetet i tillë për shqiptarët”, u shpreh ai.
Berisha theksoi se Dita e Verës simbolizon shpresën, ripërtëritjen dhe ndryshimin, duke shtuar se mënyra se si kjo festë kremtohet në Elbasan e bën qytetin kryeqytetin e kësaj feste për mbarë kombin.
Sipas tij, shqiptarët e kremtojnë këtë festë në një moment të veçantë politik, ndërsa shtoi se javën e fundit janë krijuar rrethana që, sipas tij, kanë ndikuar në procesin e integrimit europian të vendit.
“Dita e Verës është dita e ndryshimit, është dita e ripërtëritjes, kështu që ne ecim të sigurt se ditën tjetër të verës do ta bëjmë shumë më mirë dhe do t’i kemi dyert e ëndrrës sonë europiane të hapura”, deklaroi Berisha.
Në përfundim të takimit, ai falënderoi qytetarët për pritjen dhe mbështetjen ndaj opozitës, duke u uruar atyre festë të gëzuar dhe suksese në vijim.

