Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që tronditi sot Tiranën, ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u qëllua me armë zjarri dhe humbi jetën, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të plagosur.
Në një reagim publik, Berisha shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta për familjen e gjyqtarit dhe dënoi ashpër krimin, duke e cilësuar një tregues të qartë të pasigurisë që ka përfshirë vendin.
“Ekzekutohet me armë zjarri gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja. Mediat njoftojnë se një person i armatosur ka qëlluar në zyrën e tij, pra në detyrë, gjyqtarin e Apelit, i cili humbi jetën nga plagët brenda pak kohe,” – shkruan Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi ngjarjen si një “akt të shëmtuar dhe kriminal” që tregon kontrollin e krimit mbi rendin publik dhe mungesën e sigurisë për qytetarët e vendit.
“Duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të gjyqtarit të ndjerë Kalaja, dënoj me forcën më të madhe aktin e shëmtuar ndaj tij, brenda institucionit të drejtësisë – një dëshmi e qartë e pasigurisë që ekziston sot në vend,” – theksoi Berisha.
Në përfundim të reagimit, Berisha kërkoi “dënimin më të rreptë ligjor për ekzekutorin dhe porositësit e këtij krimi të rëndë”, duke bërë thirrje për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë.