TIRANË, 11 prill /Albania Express News/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se misioni i opozitës nuk përmbushet nëse nuk largohet nga pushteti kryeministri Edi Rama.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha theksoi se “ne do të bëjmë gjithçka për largimin e tij dhe PD nuk përmbush misionin e saj, nëse nuk largon Edi Ramën që shqiptarët të jetojnë të lirë”.
Berisha u ndal edhe tek protestat, ku theksoi se skenari paqësor është më i miri dhe do të çojë opozitën drejt realizimit të qëllimit të saj.
“Ne në asnjë rrethanë, dhe asnjëherë që nga themelimi gjer sot, nuk kemi synuar dhe nuk synojmë të marrim pushtet me dhunë. Kjo është alternativa jonë dhe ne i qëndrojmë besnik kësaj alternative”, u shpreh Berisha.
“Protestat tona sigurisht që nuk kanë realizuar qëllimin madhor të përmbysjes së qeverisë, por kanë arritur diskreditimin më të madh të saj, në tërë qenien e kësaj qeverie. Kanë arritur të përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, në një moment kur lobistë racistë antishqiptarë i kanë lejuar vetes të lëshojnë gojën dhe të flasin se, shqiptarët janë të pandjeshëm ndaj vjedhjes dhe korrupsionit të pasurive të tyre”, tha ai.
I pyetur për kandidatët në zgjedhjet lokalet, Berisha tha se “do të kemi kandidatët më përfaqësues në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë”.
Sa i përket reformës territoriale, kreu i PD-së tha se kanë nisur dëgjesat dhe se projekti i opozitës do të jetë transparent.
“Duhet t’u informoj se komisioni i reformës do të fillojë dëgjesat publike. Luçiano Boçi ka shpërndarë platformën për debatin publik. Pa diskutim që në projektin tonë kemi si qëllim të ofrojmë shërbimet qytetarëve”, tha ai.
Duke iu përgjigjur qytetarëve, Berisha tha se PD do të paraqesë platformën e saj për çmimet dhe se hapi i parë do të jetë ulja e TVSH në 6% për të gjitha ushqimet e shportës
“Hap i parë do të jetë ulja e TVSH në 6 përqind për të gjitha ushqimet e shportës. Dhe kjo është bërë e domosdoshme. Nga rritja e tij e rrogave del se rrogat në Shqipëri janë përsëri më të ulëtat në rajon, në një kohë kur ato ishin më të lartat në rajon në vitin 2013″, tha Berisha.
“Në një kohë kur, Maqedonia ka TVSH e ushqimeve 6% dhe i ka ushqimet shumë më lirë. Kosova i ka ushqimet shumë më lirë. Është e domosdoshme një ulje e madhe e TVSH-së në të gjitha ushqimet e shportës dhe kjo do të ndodhë”, tha Berisha.

