Qyteti i Belshit u kthye këtë fillim jave në një skenë të gjallë festimesh dhe aktivitetesh kulturore, në kuadër të festës “Nimfa e Liqeneve” dhe “Maratonës Këngë Moj”, duke sjellë në qendër të vëmendjes bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe energjinë rinore të zonës së Dumresë.
Atmosfera u ndez me valle tradicionale, që herët në mëngjes ku rrugët dhe sheshet e Belshit u mbushën me atmosferën festive.Përgjatë gjithë paradites, vizitorët patën mundësinë të shijojnë një panair gastronomik me ushqime tradicionale të përgatitura nga bujtinat dhe restorantet e zonës, të kombinuara me produkte të freskëta të stinës nga fermerët e Dumresë.
Ndërkohë, punimet artizanale dhe ekspozitat e pikturës sollën në pah mjeshtërinë dhe shpirtin krijues të komunitetit lokal. Nuk munguan as emocionet sportive. Gara me biçikleta, me pjesëmarrjen e të rinjve të zonës, solli adrenalinë në rrugët e qytetit, ndërsa garat me kajak në liqenet e Belshit, të organizuara nga grupi “Ast Albania”, ofruan spektakël dhe bukuri natyrore.
Në përmbyllje, u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve, duke vlerësuar më të mirët në garat sportive dhe duke përçuar mesazhin se Belshi është jo vetëm një vend me histori dhe traditë, por edhe me të ardhme, turizëm të qëndrueshëm dhe rinore aktive.
albaniaexpress.al