Bashkia e Belshit, pjesëmarrje dinjitoze në 140-vjetorin e Panairit Ndërkombëtar të Pistoias në Itali

Nga Fatmir Popja

Në një atmosferë të jashtëzakonshme promovuese, plot ngjyra, traditë dhe mikpritje mesdhetare, Bashkia e Belshit ka përfaqësuar me dinjitet dhe krenari Shqipërinë në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të Italisë në edicionin e 140-të të Panairit të Casalguidi, Pistoia. Me një pritje madhështore nga Kryetari i Komunës së Casalguidi, z. Piero Lunardi dhe me mjaft interes nga autoritetet lokale, publiku e mediat, prezantimi i Belshit u kthye në një nga pikat më të spikatura të panairit.

Panairi, që prej 140 vitesh është një qendër graviteti për artizanatin, kulturën dhe ekonominë lokale e ndërkombëtare, hapi dyert për herë të parë për një përfaqësi nga Shqipëria, me stendën e Bashkisë Belsh si ambasador i vlerave shqiptare në zemër të Toskanës. Me një vend të veçantë në mesin e qindra ekspozuesve, Belshi solli në këtë panair jo vetëm produktet më cilësore të tokës së vet, por edhe shpirtin e një Shqipërie që punon, prodhon, mirëpret dhe bashkëpunon.

Në stendën e Bashkisë Belsh, vizitorët patën mundësinë të njihen dhe të shijojnë produkte që mbajnë vulën e natyrës dhe pasionit të prodhuesve të një prej bashkive shqiptare të kthyer vitet e fundit edhe në një prej destinacioneve turistike më të preferuara nga të huajt, të cilët i preferojnë së tepërmi prodhimet e kësaj zone. Belshi shquhet për lloje të shumta prodhimesh të shijshme dhe mjaft cilësore. Në këtë Panair kjo bashki mori pjesë me disa produkte mes të cilave ishin:

Vaji i ullirit të Belshit i prodhuar nga maldivet me ullishtet e mrekullueshme të Dumresë, me cilësi të lartë dhe me shije unike.

• Ullinj të përpunuar nga fermerët lokalë sipas metodave tradicionale.

• Shafran, një nga produktet më të veçanta dhe të vlerësuara të zonës.

• Mjaltë, raki, verë artizanale dhe produkte të tjera bio, të prodhuara në agroturizmet e Belshit.

• Veshje popullore dhe trashëgimi muzikore, që sollën në Pistoia gjallërinë dhe historinë e një populli. 

Muzika popullore shqiptare e interpretuar nga një orkestër e ardhur posaçërisht nga Shqipëria krijoi një atmosferë të paharrueshme, ndërsa kostumet tradicionale shqiptare tërhoqën vëmendjen e mediave dhe vizitorëve të shumtë.

Në ceremoninë e hapjes së panairit, Kryetari i Bashkisë Belsh, z. Arif Tafani, mbajti një fjalim përshëndetës të vlerësuar nga mediat dhe të pranishmit. “Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë,” tha z. Arif Tafani, “që në emër të Bashkisë Belsh, Shqipëri dhe të gjithë komunitetit tonë mikpritës dhe punëdashës të jem në këtë ngjarje historike që përkon me edicionin e 140-të të Panairit Casalguidi. Ky panair është një festë e traditës, kulturës dhe vlerave që na bashkojnë. Ju jemi jashtëzakonisht mirënjohës për ftesën dhe për mikpritjen e ngrohtë që na është rezervuar, si dhe për mundësinë që bashkisë sonë i dedikohet një stendë promovimi, krejtësisht falas, në një panair kaq të rëndësishëm jo vetëm për Italinë, por për të gjithë ata që besojnë se rrënjët, autenticiteti dhe pasioni për tokën dhe prodhimet e saj cilësore janë thesare që duhen ruajtur dhe ndarë mes njëri-tjetrit.

Belshi i Shqipërisë, që unë përfaqësoj këtu, është një perlë e natyrës shqiptare, është një vend ku tradita e takon kudo të ardhmen, ku turizmi dhe agroturizmi lulëzon dhe ku prodhimet vendase kanë shije dhe aromë të shkëlqyer. Në stendën tonë do të gjeni më të mirën që ofron kjo tokë e begatë përtej Adriatikut, e cila ka gjithëçka për të ofruar si vaj ulliri me një cilësi mjaft të lartë, ullinj të kriposur sipas metodave tradicionale, shafran të kultivuar me kujdes, mjaltë natyral nga fshatrat tanë kodrinorë, raki e verë artizanale, por edhe kostume popullore mjaft të bukura që tregojnë historinë dhe shpirtin e njerëzve tanë. 

Ky panair nuk është vetëm një vend ekspozimi. Është një urë që lidh kultura, një platformë që krijon ura bashkëpunimi, një mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të ndarë më të mirën që kemi. Dhe për këtë, dua të shpreh vlerësimin tim të sinqertë për z. Lunardi dhe gjithë ekipin organizues, të cilët, me përkushtim e pasion, e kanë kthyer këtë Panair në një pikëtakimi të ideve, prodhimeve dhe njerëzve nga kultura të ndryshme. 

Panairi Casalguidi i këtij viti, me përmasat dhe rëndësinë që ka marrë, është një dëshmi e gjallë se tradita dhe zhvillimi nuk janë të kundërta, përkundrazi, ato ecin dorë për dore. Në këtë kontekst, Bashkia Belsh e Shqipërisë është e hapur për bashkëpunime me bizneset dhe institucionet italiane, veçanërisht në fushën e turizmit rural, prodhimeve bio dhe teknologjive të qëndrueshme, që këtu promovohen me shumë dinjitet. Uroj që ditët e këtij panairi të jenë të mbushura me emocione, zbulime të reja dhe lidhje që do të zgjasin më shumë se një javë dhe që besoj se do të shndërrohen në ura miqësie dhe bashkëpunimi afatgjatë midis komuniteteve tona”.

Kryetari Arif Tafani i falënderoi nga zemra për mikpritjen dhe për mundësinë që i krijuan që Bashkisë Belsh nga Shqipëria të jetë pjesë e këtij mozaiku të mrekullueshëm kulturor dhe ekonomik.

Iniciativa për pjesëmarrjen e Belshit në këtë panair u mundësua nga ndërmjetësimi i znj. Etleva Rrapa, këshilltare për politikat e integrimit në Bashkinë Azzano Decimo, me origjinë shqiptare. Përkushtimi i saj dhe bashkëpunimi me autoritetet vendase italiane u vlerësuan si një model suksesi për nxitjen e marrëdhënieve ndërkufitare.

Gjithashtu, Apostol Paja, përfaqësues i Agroturizmit “Paja” nga Belshi, falënderoi organizatorët italianë për mundësinë historike që, për herë të parë, produktet shqiptare u prezantuan në këtë panair tradicional të Toskanës, një rajon që shpesh quhet “Toskana e Madhe”, ndërsa Belshi u quajt me krenari “Toskana e Vogël” për bukuritë dhe potencialin e tij.

Panairi i këtij viti ishte më shumë sesa një treg. Ky panair ishte një festë shumëkulturore, me muzikë, valle, aktivitete për fëmijë e të rritur, ngjarje sportive dhe një mbyllje spektakolare me fishekzjarrë. Vizitorët e shumtë u ndalën me kuriozitet dhe kënaqësi në stendën shqiptare, duke e përjetuar nga afër shijen, ngjyrat dhe shpirtin e Shqipërisë.

Pjesëmarrja e Bashkisë Belsh në Panairin e Casalguidi është më shumë sesa një eksperiencë, është një urë miqësie dhe bashkëpunimi, një dëshmi që Shqipëria ka shumë për të ofruar dhe shumë për të treguar. Me natyrë të begatë, trashëgimi kulturore të pasur dhe njerëz të përkushtuar, Belshi po bëhet një emër që vlen të mbahet mend brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë.

Me krenari, dinjitet, përkushtim dhe pasion, Belshi prezantoi në Itali më të mirën e Shqipërisë. Ky ishte vetëm fillimi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Elbasani në qendër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”!

Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë,...

Kur monopatinat bëhen më të rrezikshme se korrupsioni

Nga Lutfi Dervishi Monopatinat, rreziku kombëtar numër 1 Ministrja Diella, pas...

Gjermania e pathyeshme, Franca ndalet në Islandë

Përveç ndeshjes së Kosovës, mbrëmjen e kësaj të hëne...