Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi sot një mbledhje lidhur me kërkesën për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore, për zgjedhjet e 11 majit dhe çështjen “McGonigal”, kërkesë që është refuzuar nga mazhoranca socialiste.
Kreu i grupit demokrat, Gazment Bardhi, e cilësoi këtë refuzim si një “akt antikushtetues” që, sipas tij, synon të asgjësojë rolin kontrollues të Kuvendit.
“Refuzimi nga Edi Rama i të drejtës së opozitës për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore për farsën zgjedhore të 11 majit dhe aferën personale me McGonigal është një akt antikushtetues që asgjeson një nga funksionet kryesore të Kuvendit – atë të kontrollit parlamentar,” deklaroi Bardhi.
Sipas tij, përmes këtij veprimi “Rama nuk po mohon vetëm të drejtat kushtetuese të opozitës, por po asgjëson vetë parlamentarizmin në Shqipëri.”
Bardhi theksoi se komisionet hetimore janë një instrument i domosdoshëm për transparencën dhe jo për bllokim politik.
“Ne kërkojmë standardet që ka çdo vend i BE-së, asgjë më shumë. Integrimi europian nuk është ceremoni në Bruksel, por pastrim i korrupsionit brenda qeverisë së Tiranës. Shqipëria nuk mund të ketë imazh europian me standarde afrikane,” – u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi mazhorancën se po e kthen Parlamentin në një mjet propagande të qeverisë, duke i mohuar opozitës rolin kushtetues të kontrollit dhe transparencës.
“Opozita nuk do të bëhet kurrë një stoli e një bande që pasi asgjesoi zgjedhjet e barabarta dhe të lira, tani kërkon të asgjësojë edhe Parlamentin,” përfundoi Bardhi.

