Balluku: Situata në HEC-e nën kontroll, nuk parashikohet hapja e portave

Zëvendëskryeministrja e njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mbërriti mbrëmjen e së martës në hidrocentralin e Komanit për të monitoruar situatën e krijuar nga reshjet intensive që kanë përfshirë vendin në 24 orët e fundit.

Gjatë inspektimit së bashku me administratorin e KESH-it, Erald Elezi, Balluku theksoi se pavarësisht reshjeve dhe prurjeve anësore autoritetet po menaxhojnë situatën dhe se nuk parashikohet hapja e portave për shkarkime.

“Po ndjekim me kujdes intensifikimin e reshjeve dhe presim që të premten të ketë agravim të situatës. Megjithatë, kemi marrë masat për të minimizuar dëmet dhe për të mbajtur situatën nën kontroll. Nuk parashikohet hapja e portave, se ky është problemi kryesor”, tha Balluku.

Ajo bëri të ditur se aktualisht kuota e liqenit të Komanit është rreth 167 metra dhe ka një rezervë deri në 7 metra deri në kapacitetin maksimal, ndërsa kuota në HEC-in e Vaut të Dejës është 71 m dhe ka kapacitet edhe 4,5 m deri në kuotën maksimale.

Në këtë moment, hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës po punojnë me kapacitet të plotë, duke prodhuar energji dhe duke menaxhuar prurjet e larta.

“Vau i Dejës po prodhon maksimumin e kapacitetit dhe prurjet janë rreth 200 m³/sek. Dëshirojmë që të shmangim përmbytjet, prandaj kemi mbajtur prodhimin në maksimum edhe në Koman, edhe në Vaun e Dejës. Ndërsa HEC-i i Fierzës për shkak edhe të basenit më të madh që ka nuk është në punë, duke krijuar hapësirë për Komanin”, informoi administratori i KESH-it, Elezi.

Elezi siguroi gjithashtu se infrastruktura e HEC-eve është e gatshme për të përballuar çdo situatë emergjente. “Gjatë këtyre muajve kemi bërë testimin e portave të remontit dhe kemi përgatitur gjithçka për të përdorur agregatet në rast nevoje”, tha Elezi.

Situata pritet të rëndohet më tej me intensifikimin e reshjeve, të cilat priten të vazhdojnë deri të premten.

Pavarësisht kushteve të vështira, zv.kryeministrja Balluku theksoi se autoritetet po monitorojnë nga afër çdo ndryshim dhe janë të gatshme të ndërhyjnë për të menaxhuar situatën.

“Ne jemi në koordinim të ngushtë me strukturat e tjera vendore dhe qendrore për të parandaluar çdo ndryshim në dinamikën e situatës. Po punojmë me të gjitha kapacitetet për të shmangur pasojat më të rënda”, shtoi Elezi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME