Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim paraprak në tregun e transportit urban në zonën e Kamzës, pas ankesave dhe shqetësimeve të ngritura nga publiku lidhur me rritjen e çmimeve të biletave dhe aboneve.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është hapur ndaj shoqërisë SHPRESA-AL SHPK, e cila operon në linjat Kamzë-Tiranë-Kamzë dhe Paskuqan-Babrru-Tiranë.
Nga verifikimet paraprake rezulton se SHPRESA-AL SHPK është operatori i vetëm i licencuar në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në tregun përkatës.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se, nga vlerësimi fillestar, mungojnë analizat ekonomike dhe financiare që do të justifikonin rritjen e tarifave të aplikuara për shërbimin e transportit urban.
Hetimi paraprak do të përfshijë periudhën 1 janar 2025-12 dhjetor 2025, gjatë së cilës Autoriteti do të analizojë nëse ka shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

