Artistja amerikane Anne Kullaf rrëfen ëndrrën për të pikturuar Alpet dhe bregdetin e Shqipërisë që e kanë magjepsur edhe nga larg

Nga Caush Kullafi

SHBA ,10 korrik 2026/Albania Express News/-Artistja amerikane Anne Kullaf është një nga ato piktore që nuk hedh thjesht ngjyra mbi telajo, por përcjell emocione, qetësi dhe dritë. Me një karrierë mbi 25-vjeçare dhe vepra të ekspozuara në galeri prestigjioze në SHBA, ajo ka krijuar një identitet të veçantë artistik, ku natyra dhe ndjeshmëria njerëzore bashkëjetojnë në harmoni. Në një intervistë për “Albania Express News “Anne flet për rrugëtimin e saj, frymëzimin që mori që në fëmijëri dhe zbulon një dëshirë të veçantë: të vizitojë Shqipërinë dhe të përjetësojë në telajo bukuritë mahnitëse të Alpeve dhe bregdetit shqiptar.

Shumë artistë pikturojnë peizazhe, ndërsa të tjerë pikturojnë emocione. Anne Kullaf i përket kësaj kategorie të dytë. Peneli i saj është si një degë pranvere që prek telajon dhe zgjon ngjyrat në jetë, ndërsa çdo tablo është një dritare e hapur drejt natyrës, qetësisë dhe botës së brendshme të njeriut.

Prej kohësh ndjek me kënaqësi krijimtarinë e saj artistike. Në shumë prej punimeve të Anne Kullaf mahnitem nga loja e dritës, harmonia e ngjyrave dhe ndjeshmëria që përcjell çdo pikturë. Secila vepër duket sikur flet pa fjalë, ndërsa ngjyrat rrëfejnë atë që zemra ndien e buzët nuk arrijnë ta thonë.

I shtyrë nga ky admirim për artin e saj, vendosa të realizoj këtë intervistë me piktoren amerikane Anne Kullaf, për të njohur më mirë rrugëtimin, frymëzimin dhe ëndrrat e saj artistike, mes të cilave tashmë bën pjesë edhe Shqipëria.

INTERVISTA

Anne Kullaf, prej një kohe të gjatë ndjek me shumë interes krijimtarinë tuaj artistike. Në shumë prej punimeve mahnitem nga mënyra se si ngjyrat marrin frymë, ndërsa natyra duket sikur zbret nga telajo për të biseduar me shikuesin. Para se të flasim për artin, dua t’ju pyes: kush është Anne Kullaf?

Kam lindur në pjesën veriore të shtetit të Nju Xhersit, në verilindje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. U rrita në një qytet të vogël industrial, rreth 16 kilometra në perëndim të Nju Jorkut. Shumicën e bukurive natyrore i përjetova në oborrin e prindërve të mi. Edhe pse jetonim në një zonë urbane, nëna ime kishte një kopsht të mrekullueshëm me trëndafila, ndërsa babai një kopsht me perime. Fëmijërinë e kalova duke soditur lulet, bimët dhe duke luajtur mes tyre me qenin tim. Besoj se pikërisht aty lindi dashuria ime për natyrën dhe artin.

Çfarë ju frymëzoi të ndiqnit rrugën e pikturës dhe ta bënit artin misionin e jetës suaj?

Vizatimi dhe piktura kanë qenë gjithmonë aktivitetet e mia të preferuara. Më kujtohet kur isha rreth pesë vjeçe dhe rrija në tavolinën e kuzhinës duke vizatuar me lapsa me ngjyra që m’i kishte dhuruar xhaxhai im. Ai punonte në një gazetë dhe, sa herë vinte për vizitë, më sillte lapsa me ngjyra, sepse në zyrën e tij kishte gjithmonë tepricë.

Asnjëherë nuk kam dashur të bëhem diçka tjetër përveçse artiste. Studiova në një shkollë arti, ku u specializova në dizajn grafik dhe arte figurative. Fillimisht punova në fushën e dizajnit, më pas në marketing në një kompani, ku fitova njohuri të vlefshme mbi biznesin. Më vonë iu përkushtova plotësisht artit figurativ, duke përdorur çdo ditë përvojën e fituar në dizajn dhe biznes për të ndërtuar karrierën time si artiste.

Sot jeni një emër i njohur në botën e artit. Si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj profesional?

Jam artiste profesioniste e arteve figurative prej më shumë se 25 vitesh. Gjatë kësaj periudhe kam pasur nderin të ekspozoj veprat e mia në galeri në Nju Jork, Filadelfia dhe në tregje të tjera të rëndësishme artistike në SHBA.

Së fundmi kam hapur studion dhe sallën time të ekspozimit në Filadelfia, ku prezantoj punimet e mia dhe organizoj aktivitete artistike. Përmes rrjeteve sociale dhe punëtorive të pikturës që kam zhvilluar në SHBA, Kanada, Francë dhe Itali, kam krijuar një rrjet koleksionistësh nga e gjithë bota.

Kam jetuar gjithashtu në pjesën perëndimore të SHBA-së, ku kam pikturuar bukuritë natyrore të Kolorados dhe Kalifornisë. Edhe sot kam shumë koleksionistë në ato zona, për të cilët realizoj piktura me porosi.

Thuhet se talenti lind në familje dhe rritet me dashuri. Sa ndikuan prindërit tuaj në zgjedhjen e këtij profesioni?

Të gjithë në familjen time ishin krijues në mënyrën e tyre. Babai ishte shumë i aftë në zdrukthëtari dhe përpunimin e drurit. Punonte në një fabrikë, por në shtëpi ndërtonte vazhdimisht mobilie, dollapë, veranda dhe madje, një Krishtlindje, më punoi një komplet mobiliesh për një shtëpi kukullash.

Nëna ime ishte mjeshtre në qepje. Kur isha e vogël, ajo më qepte të gjitha rrobat. Gjithashtu thurte triko dhe punonte batanije me grep. Ishte një grua jashtëzakonisht e talentuar.

Prindërit e mi më mbështetën gjithmonë të ndiqja ëndrrën për t’u bërë artiste profesioniste. Më paralajmëruan se do të ishte e vështirë të siguroja jetesën vetëm me art dhe më këshilluan të studioja edhe dizajnin krahas arteve figurative. Sot mund të them se kishin plotësisht të drejtë.

Cilat janë synimet dhe ëndrrat që mbani ende në zemër?

Jam shumë e lumtur me studion time të re në Filadelfia dhe shpresoj që brenda dy viteve të ardhshme ta zgjeroj aktivitetin edhe në Nju Jork. Gjithashtu do të dëshiroja të kisha sërish një studio në Kaliforni dhe ta ndaja kohën mes bregut lindor dhe atij perëndimor të SHBA-së.

Shqipëria është një vend me bukuri të jashtëzakonshme natyrore. A mendoni se një ditë do ta vizitoni dhe ndoshta do ta përjetësoni në telajo bukurinë e saj?

Më pëlqen shumë të udhëtoj dhe një vizitë në Shqipëri është padyshim një mundësi reale. Do të dëshiroja të pikturoja bukuritë madhështore të Alpeve Shqiptare dhe të vizitoja gjithashtu bregdetin shqiptar. Nga sa kam parë në fotografi dhe publikime, Shqipëria më duket një vend me natyrë mahnitëse, dritë të veçantë dhe peizazhe që do të ishin një burim i jashtëzakonshëm frymëzimi për çdo artist. Shpresoj që një ditë ta vizitoj dhe ta shpreh atë bukuri përmes penelit tim.

Faleminderit për këtë bisedë të ngrohtë. Një mesazh për artdashësit shqiptarë?

Faleminderit për këtë intervistë dhe për interesimin ndaj artit tim. Uroj që të gjithë të gjejnë gjithmonë kohë për të shijuar bukurinë që na rrethon, sepse arti dhe natyra kanë fuqinë të na frymëzojnë, të na bashkojnë dhe të na bëjnë më njerëzorë. Shpresoj të takohemi një ditë në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Princ Leka bëhet me djalë! Blerta Celibashi sjell në jetë Aleksandrin

TIRANË ,10 korrik 2026/Albania Express News/-Një lajm i bukur...

Ndahet nga jeta Haki Polisi , inxhinieri i mirënjohur nga Pishkashi i bashkisë Prrenjas

PRRENJAS ,10 korrik 2026/Albania Express News/-Komuniteti i Prrenjasit është...