Altin Lulaj është mësuesi poliçanas që u bë edhe më i famshëm në jetën publike kur i dhuroi gjatë një vizite pune më qytetin e tij, një portret Kryeministrit Rama. Një dhuratë kjo plot klas, por që ngjalli “xhelozinë artistike” të tij. Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, kemi kënaqësinë të bisedojmë gjerë e gjatë me z. Altin Lulaj, mësuesin e përkushtuar të shkencave ekzakte në Poliçan, i cili është një piktor dhe këngëtar i lindur që ende sot mbahet mend me mall nga brezi i studentëve të viteve ‘90 të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Altin Lulaj është një nga ato figura që ruan thjeshtësinë e njeriut të zakonshëm, por që bart brenda një botë të pasur shpirtërore që shprehet përmes artit.
Z. Lulaj, faleminderit që pranuat ftesën për këtë intervistë ekskluzive. Le ta nisim nga një fakt pak i njohur për publikun: Ju jeni mësues i shkencave ekzakte, por njëkohësisht një artist i përkushtuar. Si bashkëjetojnë matematika dhe piktura brenda jush? A bien ndonjëherë ndesh këto dy botë?
Të them të drejtën, matematika dhe piktura nuk bien ndesh, përkundrazi. Matematika të mëson përmasën, logjikën dhe simetrinë, ndërsa piktura të jep lirinë për të shprehur shpirtin. Nganjëherë gjej harmoni midis këtyre dy botëve, njëra më jep strukturë, tjetra më jep frymë. Jam me fat që i jetoj të dyja.
Talentin për vizatim e keni zbuluar që në fëmijëri, nën udhëzimin e piktorit të madh Ali Kapxhiu. A ndjeni ende sot ndikimin e tij në çdo vepër tuajën? Çfarë kujtoni më shumë nga ato orë të para me të?
Po, z. Ali Kapxhiu ishte një frymëzim i vërtetë për mua. Ai nuk më mësoi thjesht si të vizatoja, por si të shihja botën ndryshe, me sy artisti. Ishte ai që më tha për herë të parë: “Ti ke dorë, por mbi të gjitha ke ndjeshmëri.” Këtë nuk e kam harruar kurrë. Më vjen keq që nuk jeton më, por ai do të mbetet gjithmonë udhërrëfyesi im i parë.
Ka një opinion të përhapur që vizatimi dhe skica janë “gjini të lehta” në pikturë. Megjithatë, ju keni ndërtuar një botë të tërë përmes tyre. Si e shihni vetveten në këtë rrugëtim artistik? A keni ndjerë ndonjëherë mungesën e një diplome zyrtare në art?
Jam i vetëdijshëm që nuk kam ndjekur rrugën klasike të Akademisë, por nuk e ndjej si mungesë. Më shumë se diploma, për mua ka rëndësi përkushtimi. Vizatimi dhe skica mund të duken të thjeshta, por janë themeli i çdo gjinie tjetër. Është aty ku nis gjithçka. Unë jam ndier gjithmonë i plotësuar duke vizatuar karaktere, shprehje, emocione. Jam diletant, por jo sipërfaqësor.
Le të kalojmë tani tek një episod që ka ngjallur shumë interes: I dhuruat një portret personal Kryeministrit Edi Rama, vetë një piktor me emër. Si e priti ai këtë dhuratë? Dëgjuam se “u bë pak xheloz” për teknikën tuaj. Është e vërtetë?
Po, është e vërtetë që i dhurova një portret. Ishte një gjest respekti për figurën institucionale, por edhe një sfidë personale. E priti me buzëqeshje, por në sy i lexova një ndjesi “artistike xhelozie”, siç ndodh kur dikush të surprizon me një stil që nuk e pret. Ishte një moment i bukur, që s’do ta harroj lehtë.
Nëse do të ndodhte një sfidë imagjinare në pikturë mes jush dhe Edi Ramës, laps për laps, ngjyrë për ngjyrë, kush mendoni se do fitonte?
Unë nuk garoj me askënd në art. Secili ka botën e vet, por po të më duhet të them diçka me humor: ndoshta do të fitonte ai në abstraksion, por unë në realizëm dhe portret. (qesh)
Jeni gjithashtu aktiv në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Poliçan. Si e përcillni artin te brezi i ri?
Jam shumë i përkushtuar në këtë aspekt. Besoj se fëmijët kanë nevojë për më shumë art në jetën e tyre, jo vetëm për të vizatuar, por për të mësuar të ndiejnë. U mësoj të mos kenë frikë nga vija e parë që hedhin në letër. Nga ajo vijë fillon gjithçka.
A përdorni ndonjëherë artin për të shprehur ndjenja të forta si zhgënjimi, revolta apo ironia?
Padyshim. Piktura është një mënyrë shumë e fuqishme për të thënë atë që nuk thuhet me fjalë. Ka punë të miat që janë ironi e pastër, ka të tjera që janë reflektime mbi shoqërinë. Unë nuk bërtas me zë, por pikturat e mia ndonjëherë bërtasin fort.
Të ndalemi pak tek muzika. Rinia studentore e brezit tuaj ju kujton me nostalgji për zërin dhe interpretimin e ndjerë. Si nisi lidhja juaj me muzikën?
Muzika ka qenë gjithmonë me mua, që në bankat e shkollës. Në vitet e studentit në Elbasan, këndoja shpesh në mbrëmje shoqërore, në festivale studentore. Këngët ishin përplot ndjenjë, jo për t’u dëgjuar me zhurmë, por për t’u ndier në shpirt. Dhe më vjen mirë që ende sot më kujtojnë për to.
A i këndoni ende ato këngë për veten apo për miqtë?
Po, ndonjëherë. Sidomos kur jam vetëm, ose në shoqëri të ngushtë. Ka këngë që më rikthejnë vite pas, më bëjnë të kujtoj fytyra, ndjesi, emocione që nuk kthehen më. Muzika është kujtesë.
Nëse do të këndonit sot në një skenë të madhe, cilën këngë do të zgjidhnit?
Ndoshta një këngë qytetare korçare. Diçka me shpirt dhe tekst. Diçka që s’ka nevojë për dritë, sepse ka dritën brenda.
Për në fund, nëse do të duhej të zgjidhnit midis mësimdhënies dhe artit, vetëm njëra prej tyre, cila do të ishte ajo që do të zgjidhnit? Dhe pse?
Pyetje e vështirë. Mësimdhënia më ka dhënë formën, artin e të edukuarit, të përçuarit të dijes. Por arti, qoftë në pikturë apo muzikë, më ka dhënë shpirtin. Është ai që më mban gjallë në momente të qeta apo të vështira. Nëse do të më detyronin të zgjidhja vetëm njërën, do të mbaja artin. Sepse me art mund të flas pa fjalë, të edukoj pa orë mësimi dhe të prek zemra pa libra.
Z. Lulaj, gjatë viteve të studimeve në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, keni qenë një figurë shumë e dashur në shoqërinë studentore. Si i kujtoni ato vite?
Vitet në Elbasan janë ndoshta më të bukurat e jetës sime. Ishin vite ideale, ku rinia, pasioni, muzika dhe ëndrrat ndërthureshin çdo ditë. Kishim një shoqëri studentore të jashtëzakonshme, njerëz me vlera, me pasion për jetën, që edhe sot më kujtohen me shumë mall. Ne nuk ishim thjesht studentë ,ishim një familje që rronte me pak, por ëndërronte shumë.
A kishit ndonjë rol të veçantë në aktivitete studentore apo jetën artistike të universitetit?
Po, isha pjesë e aktiviteteve kulturore pothuajse në çdo vit. Më së shumti këndoja në dhomë, në ballkon, në lulishte për kënaqësinë e shoqërisë së Universitetit. Këndoja shpesh në mbrëmje festive, në aktivitete studentore dhe organizime artistike. Për mua ishte natyrale, muzika dhe arti ishin pjesë e përditshmërisë. Ishim një grup studentësh që organizonim net poetike, koncerte të vogla, madje dhe ekspozita modeste me punime artistike.
A keni ruajtur ende lidhje me ish-shokët dhe shoqet e asaj kohe?
Po, me shumë prej tyre kemi ende lidhje. Madje herë pas here më shkruajnë për të më kujtuar ndonjë këngë që e këndonim bashkë në ndonjë natë studentore apo më dërgojnë ndonjë foto të vjetër. Janë kujtime që nuk zbehen kurrë. Ishte një brez idealist, pa interesa, por plot me vlera njerëzore. Shumicës i kam bërë portrete dhe janë surprizuar jashtëzakonisht shumë. Ju dërgoj edhe këngët e mia dhe ndjehen muaft të lumtur.
Në një kohë kur shoqëria universitare po ndryshon, çfarë mesazhi do t’u jepnit studentëve të sotëm?
Do t’u thosha të mos kenë frikë të jenë ndryshe, të mos harrojnë të jenë njerëzorë, të kultivojnë artin dhe ndjeshmërinë, jo vetëm notat dhe kreditet. Jeta universitare nuk është vetëm për të marrë një diplomë ,është për të krijuar kujtime që të mbeten përjetë. Kjo është pasuria më e madhe.
Meqë folëm për kujtime të bukura nga Elbasani… Thuhet se aty keni gjetur edhe dashurinë e jetës. A është e vërtetë kjo? Si lindi kjo histori?
Po, është mëse e vërtetë. Në ato vite të bukura studentore, mes librave, aktiviteteve dhe muzikës, erdhi dhe dashuria ime, e vetmja, e përjetshmja. Nuk ishte e planifikuar, thjesht ndodhi natyrshëm, siç ndodh gjithçka e bukur në jetë. Ishim studentë, me ëndrra të thjeshta, por të mëdha. Që atëherë e deri më sot, kemi ndarë bashkë çdo hap të jetës. Ajo është bashkudhëtarja ime në çdo gjë, në profesion, në art, në çdo ditë të zakonshme që e bëjmë të jashtëzakonshme. Për këtë, jam vërtet me fat. Arti më mësoi të shoh bukurinë, por dashuria më mësoi ta jetoj jetën.”
Z. Altin Lulaj ju jeni dëshmia se nuk keni nevojë të jeni i famshëm për të qenë i vlefshëm. Ju jeni një portret i gjallë i atyre figurave që ndriçojnë pa zhurmë, që edukojnë pa imponim dhe që japin pa u lodhur. Mësues, artist, muzikant dhe qytetar i nderuar i Poliçanit, një shembull që meriton më shumë vëmendje e vlerësim. Redaksia e “Albania Express News” ju shpreh mirënjohjen më të sinqertë z. Altin Lulaj për kohën, sinqeritetin dhe thellësinë me të cilën ndave me ne jo vetëm rrugëtimin tuaj profesional e artistik, por edhe kujtimet më të çmuara të jetës. Kjo intervistë nuk na solli thjesht një piktor dhe mësues të përkushtuar, por një njeri me shpirt të ndjeshëm, i cili përmes artit, fjalës dhe zërit, vijon të ndikojë dhe frymëzojë breza të tërë.
Faleminderit “Albania Express News” dhe ju për vlerësimin dhe intervistën!
Intervistoi: Fatmir Popja