Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shfaq i emocionuar dhe plot entuziazëm pas fitores historike të Kombëtares shqiptare në transfertë ndaj Serbisë. Në një prononcim për DigitAlb, kreu i futbollit shqiptar e cilësoi këtë triumf si “të domosdoshëm” për rrugëtimin drejt Botërorit, ndërsa nuk munguan as batutat karakteristike të tij.
“Jemi në ekzaltimin e festës, nuk mbaj mend çfarë i kam thënë… Ka qenë një rezultat i mirë, sportivisht i domosdoshëm. Çunat dhanë maksimumin. Akoma s’jemi gjysma e rrugës”, u shpreh Duka me humor.
Ai vlerësoi organizimin e ndeshjes si të shkëlqyer dhe theksoi se ndryshimi i vendit të zhvillimit të takimit kishte ndikuar pozitivisht. “Edhe në Tiranë dhe Elbasan kemi pasur ndeshje shumë të mira, por gjithmonë ka vend për përmirësim,” shtoi ai.
Në përfundim, Duka dha një mesazh të qartë për vazhdimësinë e punës në ekipin kuqezi:
“Një skuadër fituese nuk diskutohet, një trajner fitues nuk ndërrohet.”
Sa i përket arbitrimit, ai vlerësoi gjyqtarin e ndeshjes si një prej më të mirëve në Europë, që, sipas tij, “e menaxhoi ndeshjen me drejtësi dhe pa asnjë ndikim të jashtëm.”



