Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka miratuar unanimisht ndryshimet në rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve”, duke forcuar masat kundër piraterisë dhe abuzimeve me shërbimet audiovizive.
Ndryshimet parashikojnë që të gjitha subjektet audiovizive, që shesin produkt televiziv, të ofrojnë vetëm kanalet për të cilat janë të licencuar. Praktika e ofrimit të kanaleve të lira si pjesë e paketave me pagesë ndalohet, duke i dhënë fund një devijimi të përsëritur nga ligji. Kanale të lira për publikun do të vijojnë të jenë falas, pa u përfshirë në shërbimet me pagesë.
AMA thekson se kjo masë nuk synon frenimin e teknologjisë, por ndalimin e abuzimeve nga subjektet që kanë shfrytëzuar boshllëqe ligjore. Po ashtu, ndryshimet sjellin lehtësira për OSHMA-të në dokumentacionin e kërkuar për autorizim apo rinovim.
Për miratimin e këtyre ndryshimeve, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, zhvilloi tryeza konsultimi në të gjitha qarqet e vendit, duke marrë mbështetjen e shumicës së operatorëve audiovizivë.