Në prag të ndeshjes me Serbinë, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti, u shpreh në konferencën për shtyp se ekipi ka vetëm një objektiv — marrjen e tre pikëve në Beograd.
“Mundohemi ta shohim këtë vetëm si një ndeshje futbolli, për të qenë profesionistë në çdo aspekt. Synimi është të shkojmë, të japim maksimumin dhe të marrim 3 pikët. Do të jetë një sfidë e vështirë, si në aspektin sportiv ashtu edhe emocional, por ne do të ruajmë qetësinë dhe profesionalizmin,” tha Ajeti.
Mbrojtësi kuqezi vlerësoi edhe cilësinë e kundërshtarit, duke veçuar sulmuesit serbë:
“Serbia ka lojtarë shumë të mirë në çdo repart. Në sulm kanë Mitrovic, që është fizikisht shumë i fortë, dhe Vlahovic, i cili po kalon një moment të mirë me Juventusin. Do t’i analizojmë me kujdes dhe do të përgatitemi për çdo situatë.”
Ajeti shtoi se skuadra duhet të jetë efikase para portës dhe e përqendruar në mbrojtje:
“Shpresoj që rastet që do të krijojmë t’i shfrytëzojmë, ndërsa në prapavijë do të bëjmë maksimumin për ta mbajtur portën të paprekur. Sulmuesit e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë,” përfundoi ai.