Pas dy vitesh lufte, Gaza drejt qetësisë – marrëveshja e Trump merr miratimin e Izraelit

24 orë pasi negociatorët njoftuan arritjen e një marrëveshjeje për fazën e parë të planit të Donald Trump për Gazën, qeveria izraelite i dha dritën jeshile ujdisë, duke i hapur rrugën pezullimit të sulmeve brenda një dite.
Sipas planit, luftimet do të ndërpriten plotësisht dhe të gjitha operacionet ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe goditjet me artileri, do të ndalen.

Ratifikimi i marrëveshjes për armëpushim nga kabineti izraelit paraditen e së premtes nënkupton se pengjet duhet të lirohen brenda 72 orëve, në këmbim të të burgosurve palestinezë. Faza e parë parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite deri në një vijë të përcaktuar, që do t’i lërë ata në kontroll të rreth 53% të territorit të Gazës. Kjo tërheqje duhet të përfundojë brenda 24 orëve nga hyrja në fuqi e armëpushimit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi:
“Jemi në një moment historik. Në dy vitet e fundit kemi luftuar për të arritur qëllimet tona, një prej të cilave është kthimi i të gjitha pengjeve – të gjallë e të vdekur. Dhe tani po e arrijmë atë qëllim. Nuk do ta kishim arritur këtë pa ndihmën e jashtëzakonshme të Presidentit Trump dhe ekipit të tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner.”

Nga ana tjetër, kreu në ekzil i Hamasit, Khalil Al-Hayya, tha se kishte marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit e tjerë se lufta ka marrë fund. Aktualisht besohet se 20 pengje izraelite janë ende gjallë në Gaza, ndërsa 26 kanë humbur jetën dhe fati i dy të tjerëve mbetet i paqartë. Hamasi ka sugjeruar se rikuperimi i trupave të viktimave mund të zgjasë më shumë sesa procesi i lirimit të pengjeve të mbijetuar.

Pasi armëpushimi të hyjë në fuqi, qindra kamionë me ushqime, ujë dhe ndihma mjekësore do të hyjnë në territorin e Gazës për të ndihmuar civilët e zhvendosur, të cilët jetojnë në kushte të rënda pas shkatërrimit të banesave të tyre.
Nëse marrëveshja zbatohet me sukses, ajo pritet të afrojë palët më shumë drejt paqes se çdo përpjekje e mëparshme për t’i dhënë fund konfliktit.

Megjithatë, pavarësisht entuziazmit në të dy anët e kufirit, ekziston frika se plani mund të dështojë, pasi disa nga pikat kyçe mbeten ende të kontestuara.
Presidenti Trump ka paralajmëruar një vizitë në rajon të dielën, me gjasë për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Egjipt. Izraeli e ka ftuar atë të mbajë një fjalim në Parlament, që do të ishte i pari nga një President amerikan që prej vitit 2008.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Goditet universiteti i Teknologjisë në Iran, ndërprerje të gazit në disa pjesë të Teheranin

Universiteti i Teknologjisë Sharif u godit të hënën në...

Pesë burra dhe një qytet ,Durrësi në një fotografi të vitit 1989 ,në prag të një epoke të re

Pesë burra dhe një qytet ,Durrësi në një fotografi...

Pasojat e luftës ndihen edhe në mjedis, paralajmërimi i OKB: Në Iran po çlirohen substanca shumë toksike

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmwron se lufta në...

Kushte atmosferike të qëndrueshme, parashikimi i motit për këtë të hënë

Ditën e Hënë vendi ynë do të ndikohet nga...