Në një atmosferë festive dhe emocionuese, u përmbyll me sukses nata finale e edicionit të dytë të Festivalit mbarëkombëtar “Pushka e Parë e Lirisë”, një ngjarje kulturore e veçantë kushtuar heroit kombëtar dhe komandantit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ky festival i cili po shndërrohet në një traditë të rëndësishme kulturore në komunën e Podujevës mblodhi ansamble artistike nga të gjitha trojet shqiptare, duke krijuar një mozaik të pasur të trashëgimisë sonë kombëtare përmes këngës, valles dhe folklorit.
Për disa ditë me radhë, qytetarët e Podujevës dhe vizitorët nga rajone të ndryshme patën mundësinë të shijojnë performanca të veçanta që promovuan vlerat, identitetin dhe historinë shqiptare.Festivali kishte karakter garues dhe për vlerësimin e performancave u kujdes një juri profesionale, e përbërë nga emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare. Juria përbëhej nga koreografi i njohur Hakif Mulliqi (kryetar), koreografja Syzana Drenica dhe dramaturgia Arta Mulliqi. Pas një konkurrence të ngushtë dhe performancave mbresëlënëse, u ndanë çmimet për më të mirët e këtij edicioni.
Vendi i parë i dha Ansamblit “Dardanët” ,Düsseldof.Vendi i dytë,Ansamblit nga Deçani.Vendi i tretë ,Ansambli nga Librazhdi.Çmime të veçanta u ndanë në këto kategori.Orkestra më e mirë.Tingujt e Vendlindjes. Këngëtarja më e mirë.Riola Hysa Stagovë.Valltarja më e mirë,Erzana Rrahmani. Vallja më e mirë: Zëri i Kosovës ,Fushë Kosovë.Rapsodia më e mirë: Bilbilat e Pashtrikut. Paraqitja më e mirë skenike,Leonel Xhokaj.Përveç aspektit artistik, festivali shërbeu edhe si një formë e fuqishme përkujtimi për figurën e Zahir Pajazitit, simbolit të rezistencës dhe luftës për liri. Përmes kësaj ngjarjeje, jo vetëm që u nderua kontributi i tij në historinë e popullit shqiptar, por edhe u afirmua nevoja për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor në gjeneratat e reja.
Komuna e Podujevës falënderon të gjithë pjesëmarrësit, ansamblet, jurinë dhe qytetarët për mbështetjen dhe përkushtimin në realizimin e këtij festivali, duke premtuar se vitet në vijim do ta kthejnë “Pushkën e Parë të Lirisë” në një ngjarje edhe më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse.Atmosfera e festivalit u përshkua nga emocione të forta, entuziazëm dhe krenari kombëtare. Pjesëmarrësit dhe publiku shprehën falënderimet e tyre për organizimin e nivelit të lartë dhe për përkushtimin e Komunës së Podujevës në mbështetjen e aktiviteteve kulturore me përmasa gjithëshqiptare.
“Është një nder i madh për ne të jemi pjesë e këtij festivali. Përmes këngës dhe valles ne nuk po festojmë vetëm trashëgiminë tonë kulturore, por po kujtojmë edhe figurat e mëdha që dhanë gjithçka për lirinë tonë,” u shpreh njëri nga drejtuesit e Ansamblit “Dardanët” nga Düsseldorf, fituesit e vendit të parë. Ndërsa kryetari i jurisë, koreografi Hakif Mulliqi, theksoi rëndësinë e ruajtjes së autenticitetit në interpretimet artistike:
“Ansamblet e këtij viti treguan nivel të lartë profesional dhe një ndjeshmëri të madhe ndaj përmbajtjes historike dhe emocionale të festivalit. Ishte një sfidë e bukur për të zgjedhur fituesit.”
Nga publiku nuk munguan duartrokitjet e vazhdueshme dhe emocionet. Një qytetare e Podujevës, e emocionuar nga mbrëmja finale, tha:
“Kjo ngjarje e ka kthyer qytetin tonë në qendër të kulturës kombëtare. Është një krenari e madhe për Podujevën dhe për të gjithë shqiptarët.”
Albania Express News