Në Asamblenë e Partisë Socialiste në Cërrik u bë prezantimi i deputetit të PS, Agron Gaxho, si përfaqësuesi i ri i kësaj zone në Kuvendin e Shqipërisë. Ky vendim vjen në një moment vendimtar, teksa kjo forcë politike synon një fitore të sigurt në zgjedhjet vendore të 9 nëntorit 2025.
Partia Socialiste këtë javë ka zyrtarizuar si kandidat të saj në zgjedhjet e parakohshme z. Florenc Doka, aktualisht nënkryetar i komanduar i Bashkisë Cërrik. Deputeti Gaxho, i cili ka një karrierë prej mbi 30 vitesh në mbrojtje të mjedisit dhe shërbimin publik, do të përfaqësojë një zë të fuqishëm të përgjegjësisë, përkushtimit dhe integritetit në politikën lokale dhe në Kuvendin e Shqipërisë.
Ai është përfaqësues i Qarkut të Elbasanit në Kuvendin e Shqipërisë dhe ky është mandati i tij i parë. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Gaxho njihet si një nga promotorët e zhvillimit të qëndrueshëm në vend. Ai ka dëshmuar se puna me vizion dhe bashkëpunimi me komunitetin sjellin rezultate konkrete.
Caktimi i tij për të përfaqësuar Cërrikun është një sinjal i qartë se kjo zonë do të ketë një zë të fortë në Kuvend — një përfaqësues që e njeh terrenin, njeh sfidat dhe i përgjigjet me angazhim e vendosmëri.
Programi i tij gjatë fushatës së 11 majit ishte mjaft ambicioz dhe kryesisht i mbështetur mbi tre shtylla: mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër abuzimeve dhe përfshirjen aktive të komunitetit në vendimmarrje.
Me Agron Gaxhon në krah, qytetarët e Cërrikut fitojnë jo vetëm një deputet të zoti, por edhe një shërbestar të vërtetë të interesit publik.
albaniaexpress.al