Elbasani ka bërë një nisje solide këtë sezon, duke ruajtur kryesimin dhe mbetur ende pa humbje. Barazimi i fundit ndaj Teutës tregoi se skuadra nuk është e pandalshme, por di të menaxhojë edhe situatat e vështira, pavarësisht mungesave të rëndësishme në sulm. Ajo që bie më shumë në sy është qetësia dhe stabiliteti me të cilën verdheblutë po e përballojnë kampionatin.
Egert Kuçi, ish-pjesë e skuadrës kampione të vitit 2005-2006, e sheh këtë Elbasan më të pjekur dhe më të organizuar se një vit më parë. Për të, çelësi i rezultateve është mbrojtja solide, që ka pësuar vetëm një gol deri tani, ndërsa grupi ka fituar eksperiencë dhe nuk shpërbëhet lehtë përballë presionit. “Është e rëndësishme të ruhet ritmi dhe të punohet mbi konkretizimin e rasteve. Kampionati është i gjatë dhe duhet shumë kujdes që entuziazmi të mos kalojë në eufori”, thekson Kuçi.
“Barazimi me Teutën? Normal gjatë sezonit”
“Mungesat e Dialos dhe Ibrahimit patën ndikim, sepse ata i japin shpejtësi dhe fantazi fazës sulmuese. Gjithsesi, barazimi nuk është rezultat negativ, e rëndësishme është që skuadra nuk humbi dhe ruajti qetësinë”, thotë Kuçi.
“Mbrojtja, forca kryesore e Elbasanit”
“Me vetëm një gol të pësuar deri tani, tregon qartë se skuadra është e organizuar. Kur ke një bazë të fortë pas, je gjithmonë në lojë për të fituar. Për më tepër, është ruajtur grupi nga sezoni i kaluar, ndërkohë që afrimet e reja kanë sjellë më shumë pjekuri. Lojtarët dinë të menaxhojnë më mirë momentet e vështira”, shprehet ish-mbrojtësi.
Ngjashmëritë me Elbasanin kampion
“Në disa drejtime i shoh të ngjashëm. Edhe ne atëherë kishim një grup të bashkuar, mbrojtje të fortë dhe dëshirë për të bërë histori. Sot, shoh një skuadër me disiplinë taktike dhe mentalitet fitues. Çdo brez ka kohën e vet, por ky Elbasan të jep ndjesinë e një ekipi që nuk dorëzohet lehtë.”
“Sfida me Vllazninë? Do të jetë test real”
“Vllaznia është gjithmonë kundërshtar i fortë, por Elbasani ka potencial për rezultat pozitiv. Rikthimi i lojtarëve të dëmtuar do t’i japë më shumë alternativa trajnerit. Duhet të tregohen më vrastarë para portës, sepse shpesh u ka munguar finalizimi.”
Titulli, a është i arritshëm?
“Duhet të jemi realistë. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, por ky Elbasan ka potencial të qëndrojë gjatë në garë. Çelësi është vazhdimësia dhe shmangia e euforisë. Ndeshje pas ndeshjeje, pa parë shumë renditjen.”
Në fund, Kuçi dha edhe një mesazh: “Lojtarëve u them të vazhdojnë të punojnë me përulësi dhe përqendrim, rezultatet vijnë vetë. Ndërsa tifozët le të vazhdojnë mbështetjen, sepse energjia e tyre është një forcë më vete për këtë skuadër.”