Porti i Sarandës, si porta jugore e turizmit në vend, vijon të shënojë rritje të ndjeshme të fluksit të pasagjerëve edhe gjatë muajit shtator.
Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau në rrjetet sociale shifrat e pasagjerëve gjatë muajit shtator, si dhe të periudhës janar-shtator të këtij viti.
Sipas shifrave të publikuara nga Balluku, në Portin e Sarandës kanë hyrë dhe kanë dalë 140 600 pasagjerë vetëm në muajin shtator, një rritje prej 29% krahasuar me shtatorin e 2024 që ka shënuar 108 824 pasagjerë në hyrje-dalje.
Ndërsa gjatë periudhës janar-gusht 2025 në port kanë hyrë dhe kanë dalë 686 400 pasagjerë, 23% më shumë se e njëjta periudhë e 2024, që shënoi 557 880 pasagjerë në hyrje-dalje.
“Ky trend dëshmon se interesi për zonën jugore mbetet i lartë edhe përtej sezonit veror, duke reflektuar një zgjerim të qëndrueshëm të sektorit të turizmit. Porti i Sarandës u shërben jo vetëm qytetit, por gjithë rivierës jugore, duke qenë një pikë kyçe lidhëse për vizitorët vendas dhe të huaj”, theksoi Balluku.
Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një fluks të lartë udhëtarësh në Portin e Sarandës, i cili po konsolidohet si një nga pikat më të rëndësishme hyrëse për turizmin në jug të Shqipërisë.
Me tragetet, kroçerat dhe anijet turistike që kanë mbërritur nga Korfuzi në Sarandë numri i udhëtarëve, përfshirë këtu edhe turistët ditorë, ka shënuar shifra të larta, sidomos gjatë muajve të verës.