Shtetet e Bashkuara kanë hyrë zyrtarisht në një mbyllje të qeverisë federale, pak pas mesnatës sipas orës lokale, për herë të parë pas shtatë vitesh. Shkaku kryesor është dështimi i Kongresit për të arritur një marrëveshje mbi financimin e administratës, mes përplasjeve të forta mes republikanëve të udhëhequr nga Donald Trump dhe opozitës demokrate.
Mbyllja ka sjellë pezullimin ose ngadalësimin e një sërë shërbimesh publike, duke lënë miliona punonjës federalë në pasiguri mbi të ardhmen e tyre të afërt.
Senati amerikan rrëzoi fillimisht një propozim të demokratëve, ndërsa refuzoi gjithashtu edhe projektligjin e përkohshëm të miratuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, që parashikonte financim deri më 21 nëntor.
Presidenti Trump ka paralajmëruar se kjo situatë, e nxitur nga mungesa e fondeve për ekzekutivin, do të pasohet nga shkurtime të mëtejshme të fuqisë punëtore federale.
Ndërkohë, disa sindikata kanë ngritur padi ndaj administratës, duke akuzuar Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit për keqinterpretim të ligjit mbi mbylljet qeveritare. Sipas tyre, një memo e kësaj zyre u ka kërkuar agjencive të “shfrytëzojnë mundësinë për të vlerësuar shkurtimet e vendeve të punës”.
Tensionet janë përshkallëzuar edhe në sektorin e mbrojtjes. Pentagoni, i riemërtuar së fundmi si Departamenti i Luftës, ka deklaruar gatishmëri për “luftë”. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se do të punojë për të riparuar “dekada degradimi” në Forcat e Armatosura Amerikane, duke akuzuar politikanët për paaftësi dhe papërgjegjshmëri.
Për momentin, nuk ka një zgjidhje në horizont për ngërçin buxhetor, duke shtuar edhe më tej pasigurinë politike dhe ekonomike në vend.