Shqipëria po synon të pozicionohet si një destinacion kryesor turistik në rajonin e Mesdheut, duke ndërtuar një model zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Investimet strategjike në turizmin e gjelbër dhe përmirësimi i infrastrukturës po e rrisin gjithnjë e më shumë interesin e të huajve për vendin tonë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, publikoi në rrjetet sociale një videokartolinë promovuese të Shqipërisë turistike, duke vënë në pah bukuritë nga bregdeti tek zonat malore, si edhe pasurinë e zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–gusht 2025, Shqipëria ka mirëpritur rreth 9 milionë vizitorë të huaj, rreth 500 mijë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 94% e vizitorëve vijnë nga Evropa, ku pjesën kryesore e zë Evropa Jugore me 70% të hyrjeve, ndërsa Evropa Perëndimore dhe ajo Qendrore/Lindore përfaqësojnë nga 11%.
Qëllimi i hyrjes në Shqipëri në 98% të rasteve është personal, duke përfshirë pushimet, vizitat familjare dhe aktivitetet sociale, çka dëshmon rritjen e imazhit të vendit si një destinacion turistik tërheqës dhe mikpritës.