Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale pamje nga punimet për ndërtimin e aksit rrugor Vodicë – Qafë Dardhë, një investim që pritet t’i japë një zhvillim të ri qytetit të Beratit.
Sipas tij, kjo rrugë do të lidhë më lehtë Beratin me Gramshin, duke krijuar mundësi të reja për zhvillimin e turizmit të natyrës dhe aventurës. “Mirëmëngjes dhe nga puna në kantierin e rrugës Vodicë – Qafë Dardhë, që po merr formë dita-ditës, duke hapur një mundësi të re për Beratin, lidhjen me Gramshin dhe zhvillimin e turizmit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Punimet për këtë projekt nisën në janar të këtij viti dhe përfshijnë dy paketa kryesore: rikonstruksionin e rrugës Vodicë – Qafë Dardhë dhe restaurimin e Çezmës së Tarikos në Tomor, një monument i njohur për vlerat historike dhe kulturore.
Ky investim shihet si një mundësi për rritjen e qarkullimit turistik në zonë, si dhe për lehtësimin e qasjes së komuniteteve lokale në infrastrukturë më moderne.

