Nga Vladimir Mema
Egnatia e Rrogozhinës po jeton ditët më të lavdishme në historinë e saj. Klubi që vetëm disa vite më parë bënte përpjekjet për të ngjitur shkallët e futbollit shqiptar, sot është në turin e tretë të Conference League, duke kaluar për herë të parë dy raunde europiane.

Kualifikimi ndaj Dinamo Minskut nuk ishte thjesht një sukses teknik, por një provë karakteri, vendosmërie dhe pjekurie për një skuadër që nuk ndalet më në ëndërrimin e saj. Në fitoren ndaj bjellorusëve u pa qartë një skuadër me bosht të qartë, me ide të pastra loje dhe me përqendrim maksimal në momente kyçe. Në ndeshjen e kthimit, Egnatia mbrojti me mençuri avantazhin minimal dhe arriti të menaxhojë presionin, duke treguar se suksesi i turit të parë nuk ishte rastësi. Loja pragmatiste e Tetovës, forca e grupit dhe ekuilibri mes reparteve janë bërë identiteti i kësaj skuadre, e cila nuk ka emra të mëdhenj, por funksionon si një mekanizëm i mirëvajtur.
TANI VJEN OLIMPIJA LJUBLJANA –Përballja e radhës është tashmë e qartë: Olimpija Ljubljana, një emër me më shumë përvojë në arenën ndërkombëtare. Ndeshja e parë do të luhet javën që vjen në transfertë, ndërsa kthimi në Rrogozhinë pritet të jetë një tjetër mbrëmje emocionuese për tifozët dhe komunitetin. Sfida është e vështirë, por jo e pamundur. Egnatia e këtij sezoni ka treguar se di të luajë me nerva të ftohta dhe nuk trembet përballë emrave më të mëdhenj. Pavarësisht mungesës së eksperiencës, ajo që e veçon këtë skuadër është qetësia, bindja në mënyrën e lojës dhe dëshira për të ecur më tej.

LAVDIA DHE PARATË – Kualifikimi në turin e tretë nuk sjell vetëm lavdi sportive, por edhe përfitime konkrete financiare. Me kalimin e çdo turi, shpërblimi nga UEFA rritet dhe arkëtimet gjithashtu. Tashmë, jo vetëm që është në lojë, por është bërë edhe model për mënyrën se si ndërtohet një projekt solid: pa zhurmë, pa bujë mediatike, por me punë të heshtur dhe profesionalizëm. Në qytet ndjehet qartë atmosfera entuziaste. Rrogozhina është veshur me simbolet e klubit, ndërsa kërkesa për bileta është rritur ndjeshëm që tani. Lojtarët, stafi dhe drejtuesit janë të vetëdijshëm se përballja me Olimpijën do të jetë një sfidë më e fortë se të mëparshmet, por asgjë nuk është më e bukur sesa të provosh kufijtë e mundësive të tua. Klubi është në rrugën e duhur, skuadra është e uritur dhe ëndrra europiane tashmë ka marrë formën e një realiteti të bukur. Ndeshja me Olimpijën është thjesht kapitulli tjetër i një historie që ende nuk ka arritur kulmin. Një histori që e ka nisur në heshtje… por po shkruhet me germa të arta.



