Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se Edi Rama është kapiteni i anijeve të drogës që flota amerikane fundos në oqean. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha ftoi popullin të lexojë materialet e fundit të cilat faktojnë me dokumente se si një pjesë të Europës e konsideron Shqipërinë si një shtet kriminal.Ai tha se beteja e tyre kundër Edi Ramës në faktimin, argumentimin dhe dokumentimin e shkeljeve të bëra nga ai do të vazhdojë. Berisha shtoi edhe faktin se kullat, resortet dhe ndërtimet janë dhuratë e Ramës ndaj narkoterroristëve.
Pjesë nga deklarata e Berishës
Nuk shkoi dot në New York. Kishte fiksuar dreka dhe darka që ta dinë shqiptarët me udhëheqës rajonalë, me kryeministra dhe presidentë rajonalë. U anuluan. A janë narkolidhjet apo shkaqe të tjera unë nuk mund të them, por këto të gjitha u anuluan. Por qëndresa jonë ndaj këtij faktori shkatërrimtar, mbi qenien shqiptare, mbi ekonominë shqiptare, mbi ligjin shqiptar, mbi të drejtat e shqiptarëve është gjithnjë e më i vendosur. Ju ftoj të lexoni materialet e fundit të cilat faktojnë me dokumente se, në ç’shkallë, se si në mes të Europës konsolidohet çdo ditë e më shumë, një shtet kriminal dhe që për fatin tonë, kjo nga një pjesë e zyrtarëve europianë nuk pranohet. Sepse agjencitë e zbatimit të ligjit të Europës e kanë shumë të qartë, ua them unë ju, 100 përqind, por ka burokratë, ka zyrtarë që këtë nuk e pranojnë. Megjithatë beteja jonë është gjer në faktimin, argumentimin, dokumentimin, e kësaj monstre që zhvillohet gjithnjë e më shumë në Europë dhe që kryesohet nga Edi Rama.Çfarë thotë dosja e fundit.
Dosja e fundit se, Shqipëria është njëshi për larjen e parave të tyre. Këto kulla që dëgjoni ju dhe resorte të gjitha, këto janë dhuratat e Edi Ramës për narkoterroristët. Sepse nëqoftëse ti shkon dhe merr 28 tonelata në vit nga klanet narkoterroriste, ti je bashkëpunëtor i tyre, je narkoterrorist edhe ti. Tani ju keni parë se si, po gjuhen në oqeanin Paqësor, flota detare amerikane çdo ditë, çdo 2-3 ditë e fundos nga një anije të tyre. Por e rëndësishme shumë është të fundosen timonierët, kapitenët e tyre dhe këtu në Europë është Edi Rama. Në Europë është Edi Rama. Le të thotë kush çdo lavdërim, çdo gjë. Unë e garantoj se po mbron një kryetar të një organizate kriminale. Ndaj dhe ai në parlament sillet sikur të ishte Franc Çopja, sikur të ishte Çela, Elvis Doçi apo me radhë. Asnjë dallim nuk kanë qëndrimet e tyre ndaj rregullave dhe demokracisë.