Kryeministri Edi Rama përcolli sot, përmes një fotoalbumi, zhvillimet kryesore të javës, që nga punimet e Konferencës së 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE kushtuar grup-kapitullit IV, te takimi në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, mbajtjen e një leksioni për studentët në Kolegjin Europian të Bruzhit në Bruksel dhe zhvillimin e mbledhjes së parë të qeverisë së re.
Në fillim të kësaj jave, në Bruksel u zhvillua Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE për hapjen edhe të katër kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pas punimeve të Konferencës së gjashtë Ndërqeveritare BE-Shqipëri, kryeministri Rama zhvilloi konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Çështjeve Europiane të Danimarkës Marie Bjerre dhe komisioneren europiane për Zgjerimin Marta Kos, ku u theksua se shpejtësia e Shqipërisë për integrimin në BE është mbresëlënëse.
Konferenca e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE iu kushtua grup-kapitullit IV: “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, i cili përmban fusha me rëndësi të posaçme për ekonominë dhe biznesin.
Në Bruksel, kryeministri Rama zhvilloi një takim të rëndësishëm me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe aleancës transatlantike.
Ky takim vjen në një moment kyç për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe fokusi i diskutimeve u vu dhe tek roli i Shqipërisë në misionet e NATO-s. Në një deklaratë të përbashkët për mediet, të dy liderët theksuan angazhimin e përbashkët për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe NATO-s.
Në fotoalbumin e aktiviteteve dhe ngjarjeve që shenjuan këtë javë, kreu i qeverisë ka ndarë foto edhe nga takimi me studentët në Kolegjin Europian të Bruzhit, ku mbajti edhe një leksion.
Rama u shpreh thellësisht i nderuar për mundësinë e dhënies së një leksioni në këtë Kolegj, që e cilësoi hapësirë të jashtëzakonshme, ku shpirti i Robert Schumanit, Jean Monnet dhe shumë të tjerëve vazhdon të kumbojë ende.
Rama foli dhe për historinë e këtij qyteti, që sipas tij ia kishte rrëfyer ambasadori shqiptar në BE, Ferit Hoxha. Ndërsa theksoi se, edhe pse situata globale është e ndërlikuar, Shqipëria do të vazhdojë rrugën e integrimit europian, si e vetmja alternativë.
Kreu i qeverisë ndau momente edhe nga mbledhjen e parë e Këshillit të Ministrave me kabinetin e ri qeveritar.
Pas ceremonisë së betimit para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, Kryeministri Rama dhe 16 ministrat e kabinetit qeveritar realizuan fillimisht foton familjare në shkallët e Kryeministrisë dhe më pas iu drejtuan sallës së mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 82 vota pro programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama.