Numri i çifteve që përballen me probleme për të konceptuar një shtatzëni po rritet jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Sipas mjekëve gjinekologë, faktorët kryesorë që ndikojnë në infertilitet përfshijnë moshën e madhe të çiftit kur planifikojnë shtatzëninë e parë, patologjitë shëndetësore që mund të shfaqen me moshën, si dhe stilin e jetesës, përfshirë ushqimin, duhanin, alkoolin dhe përdorimin e drogave.
Eliona Demaliaj, doktoreshë në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”, thekson se “1 në 6 çifte has vështirësi të konceptojë një shtatzëni”. Ajo shton se shpesh fajësohet gruaja për vonesën e një shtatzënie, por statistikat tregojnë se 30% e rasteve janë për shkak të partnerit, po aq për shkak të partneres, dhe një pjesë ndodh për shkaqe të pashpjeguara.
Mjekët nënvizojnë se çiftet shqiptare vuajnë më shumë nga stigma sociale dhe shpesh shkojnë tek mjeku vonë, duke e bërë trajtimin më të vështirë. “Nuk është turp që po vonon të mbetesh shtatzënë. Çiftet duhet të flasin me mjekun dhe të shkojnë tek psikologu,” thekson Demaliaj.
Në një konferencë të organizuar nga Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldine”, ekspertë shqiptarë dhe italianë në fushën e gjinekologjisë dhe riprodhimit shkëmbyen përvojat dhe praktikat më të mira mbi rrugët teknologjike dhe njerëzore për uljen e infertilitetit.
Në këtë maternitet pritet të ngrihet një qendër për trajtimin e infertilitetit dhe për prokreacionin e asistuar, e cila do të ndihmojë çiftet që hasin vështirësi në konceptim dhe do të ofrojë mbështetje mjekësore dhe psikologjike.