Në një Shqipëri ku emigrimi, pasiguria dhe mungesa e besimit në sistemin arsimor shpesh duken si rrugë pa kthim, historia e Denida Ballës, një vajzë e re nga qyteti i vogël i Librazhdit, vjen si një dëshmi frymëzuese se talenti, përkushtimi dhe vullneti janë ende forca të mëdha që mund të formësojnë të ardhmen e vendit.
Me një notë mesatare të pandryshuar 10 përgjatë të gjitha viteve të arsimit parauniversitar, fituese e Medaljes së Artë për Maturën Shtetërore 2024-2025 dhe përfaqësuese dinjitoze e Shqipërisë në disa nga olimpiadat më prestigjioze të matematikës në rajon dhe Europë, Denida Balla është më shumë se një nxënëse e shkëlqyer, ajo është një simbol i shpresës dhe potencialit të brezit të ri shqiptar.
Në një intervistë ekskluzive për “Albania Express News” Denida Balla na rrëfen për rrugëtimin e saj të jashtëzakonshëm, sfidat, motivimin dhe arsyet që e shtynë të zgjedhë të studiojë e të ndërtojë të ardhmen e saj në Shqipëri, ndonëse kishte mundësi të shumta për të studiuar jashtë.
Denida, para së gjithash, urime për këtë sukses të jashtëzakonshëm që ke arritur! Si e përjeton faktin që do të nderohesh me Medaljen e Artë dhe je një nga maturantet më të suksesshme në Shqipëri për vitin shkollor 2024-2025?
Shumë faleminderit! Është një ndjenjë që përmban gjithçka: gëzim, krenari, mirënjohje, por edhe reflektim. Medalja e Artë përfaqëson jo vetëm rezultatet e mia në arsimin parauniversitar, por edhe gjithë sakrificën, punën e palodhur dhe dashurinë time për dijen. Mbi të gjitha, është një përgjegjësi morale për të përfaqësuar siç duhet brezin tim dhe qytetin tim të mrekullueshëm ku linda dhe u rrita.
Nëse do t’i kthehesh viteve të fëmijërisë, a e ke imagjinuar ndonjëherë këtë rrugëtim kaq të pasur me arritje?
Në fillim, gjithçka nisi thjesht si një dëshirë për të kuptuar më shumë. Më kujtohet si tani dita kur fitova për herë të parë “Kangaroo – Shqipëri” në klasën e 7-të. Ishte një ndjenjë e veçantë nga e cila arrin të kuptosh se ke një talent dhe se ai mund të kultivohet. Pas asaj dite, u angazhova më shumë në olimpiada, lexime jashtë programit dhe trajnime të avancuara.
Të përfaqësosh Shqipërinë në dy edicione radhazi të Olimpiadës Evropiane të Matematikës për Vajza (EGMO) është një privilegj që pak e arrijnë. Çfarë përfaqëson për ty kjo eksperiencë?
Ishte një përvojë që më ndryshoi si individ. Në EGMO ke mundësinë të përballesh me më të mirat e botës dhe kjo është sfiduese, por edhe jashtëzakonisht frymëzuese. Mësova se dija nuk ka kufij kombëtarë dhe që gratë dhe vajzat kanë vendin e tyre të merituar në shkencë, në teknologji dhe në çdo fushë tjetër. Ishte një nder i jashtëzakonshëm të mbaja flamurin shqiptar në ato ambiente ndërkombëtare.
Ke konkurruar dhe je shpallur fituese në shumë degë universitare të rëndësishme. Pse zgjodhe Inxhinierinë Softuerike tek Universiteti Epoka në Shqipëri?
Kam qenë gjithmonë e pasionuar pas strukturës dhe logjikës që qëndron pas teknologjisë. Inxhinieria Softuerike është një fushë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim, sidomos tani që Shqipëria po hapet gjithnjë e më shumë drejt inovacionit dhe dixhitalizimit. E zgjodha Universitetin Epoka sepse ofron një program cilësor, staf të përkushtuar dhe mundësi konkrete për kërkim shkencor dhe ndërveprim ndërkombëtar. Zgjodha të qëndroj në Shqipëri sepse besoj se ndryshimi fillon nga vetja dhe ndoshta, nesër, nga këtu mund të nis edhe një startup i suksesshëm që kontribuon në zhvillimin teknologjik të vendit.
Denida, dimë që u shpalle fituese në një numër të madh degësh universitare, përfshirë ato më të preferuarat në vend. Mund të na thuash cilat ishin ato?
Po, është e vërtetë që aplikova në disa prej degëve më konkurruese dhe arrita të shpallesha fituese në të gjitha. Lista përfshinte:
- Mjekësi e Përgjithshme
- Farmaci
- Stomatologji
- Inxhinieri Elektronike
- Inxhinieri Softuerike
- Inxhinieri Ndërtimi
- Inxhinieri Kompjuterike
- Inxhinieri Biomjekësore
- Informatikë Ekonomike
- Administrim Biznesi
Ishte një ndjenjë shumë e bukur të shihja që mundësitë ishin të hapura në kaq shumë drejtime. Të gjitha këto degë më interesonin në mënyra të ndryshme dhe secila kishte potencialin për të më ofruar një të ardhme të suksesshme.
Dhe megjithatë, vendose të studiosh Inxhinieri Softuerike. Çfarë të tërhoqi më shumë te kjo degë?
Inxhinieria Softuerike për mua është ndërthurja perfekte midis logjikës, krijimtarisë dhe ndikimit real në shoqëri. Që në kontaktet e para me programimin, ndjeva që kjo fushë më sfidonte dhe më përfaqësonte. E shoh si një mjet për të krijuar zgjidhje që ndikojnë jetën e njerëzve, për të sjellë inovacion dhe për të qenë pjesë e zhvillimit teknologjik të Shqipërisë. Zgjodha të studioj tek Universiteti “Epoka”, sepse ofron një program të konsoliduar, me standarde ndërkombëtare dhe orientim praktik. Jam e bindur që aty do të marr formimin e duhur për të ndërtuar një karrierë me ndikim real.
Nuk është e zakonshme që një nxënëse me profil të fortë shkencor të mos ndjekë Mjekësinë apo Farmacinë. E konsiderove gjatë këtë zgjedhje?
Sigurisht, e mora shumë seriozisht. Mjekësia, Farmacia dhe Stomatologjia janë fusha të mrekullueshme dhe më kanë interesuar gjithmonë. Por në fund, vendosa të ndjek atë që më ndez më shumë pasionin dhe më përfaqëson më mirë si natyrë. Bëra një zgjedhje jo vetëm me kokë, por edhe me zemër.
Denida, me profilin tënd të jashtëzakonshëm, shumë do të prisnin që të zgjidhje të studioje jashtë vendit. A e konsiderove këtë mundësi dhe pse vendose të qëndrosh në Shqipëri?
Po, e mora seriozisht në konsideratë. Kisha disa mundësi reale për të aplikuar jashtë vendit, madje edhe sugjerime nga mësues, kolegë dhe familjarë që më inkurajuan të ndiqja këtë rrugë. Por pas shumë reflektimi, vendosa që dua të ndërtoj të ardhmen time këtu, në Shqipëri. Mund të tingëllojë idealiste, por unë besoj se vendi ynë ka nevojë për trurin e vet. Ne nuk mund të presim ndryshim, nëse të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë largohen. Zgjodha të studioj në Universitetin Epoka sepse më ofron cilësi, sfidë, ambient ndërkombëtar dhe një bazë të fortë për të ndërtuar karrierë pa pasur nevojë të largohem. Jam e bindur që ndryshimi mund të fillojë këtu, me brezin tonë, nëse vendosim të investojmë në vendin tonë.
Çfarë i këshillon të rinjtë që ndodhen sot përballë dilemës për të zgjedhur degën e duhur?
Të dëgjojnë veten. Të reflektojnë për atë që i pasionon, që i motivon dhe që i bën të ndihen të gjallë. Nuk ka “degë të sigurta” nëse ti nuk je i sigurt për veten. Suksesi është aty ku përputhen talenti, pasioni dhe përkushtimi, pavarësisht se çfarë dege zgjedh. Dhe mbi të gjitha, të mos kenë frikë të mendojnë ndryshe.
Si ka qenë për ty mbështetja nga mësuesit, familja dhe institucionet lokale?
Jam me fat që kam pasur gjithmonë përkrah njerëz që kanë besuar tek unë. Mësuesit e mi, sidomos në matematikë dhe shkencat natyrore, kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në formimin tim. Familja, mami dhe babi kanë qenë themeli emocional dhe praktik në çdo hap timin. Ndërsa nderimi nga Bashkia e Librazhdit për sukseset në olimpiada me një Çertifikatë Mirënjohjeje ishte një moment shumë domethënës, sepse është një dëshmi që edhe qytetet e vogla dinë të çmojnë dijen dhe arritjet.
Si e sheh të ardhmen tënde dhe çfarë aspiron të bësh pas përfundimit të studimeve?
Dua të vazhdoj studimet pasuniversitare në fushën e inteligjencës artificiale dhe sigurisë kibernetike. Synimi im është të kontribuoj në zhvillimin e teknologjisë në Shqipëri, të krijoj zgjidhje praktike që ndihmojnë komunitetin dhe pse jo, të jem pjesë e ndonjë projekti ndërkombëtar që e kthen Shqipërinë në një qendër të vogël inovacioni në rajon.
Cili është mesazhi yt për bashkëmoshatarët dhe të rinjtë shqiptarë që shpesh ndihen të dekurajuar?
Mos u dorëzoni! Vendi ynë ka nevojë për njerëz të ditur, të ndershëm dhe të vendosur. Mos e nënvlerësoni fuqinë e dijes, ajo është çelësi për të ndryshuar jo vetëm jetën tuaj, por edhe shoqërinë. Mundësitë nuk vijnë gjithmonë lehtë, por me punë dhe pasion gjithçka është e arritshme. Edhe nga një qytet i vogël si Librazhdi mund të ngjitesh në skenat më të mëdha akademike në Europë dhe unë jam dëshmi për këtë.
Epilog
Denida Balla është më shumë se një emër në listën e medalistëve të artë të Maturës Shtetërore, ajo është një fytyrë e re e inteligjencës shqiptare, një ndër yjet që ndriçojnë horizontin e një Shqipërie që aspiron të ecë përpara. Në një kohë kur truri shqiptar shpesh largohet, histori si kjo duhen vlerësuar, promovuar dhe mbështetur, jo vetëm për hir të meritës, por sepse ato ndërtojnë të ardhmen e vendit.
Intervistoi: Fatmir Popja