Dhimitër Pasko është njeriu që njihet nga të gjithë si Mitrush Kuteli.Ai mbetet një nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe të shekullit XX. Sot, në përvjetorin e lindjes së tij, kujtojmë dhe nderojmë një emër që mbetet themelor në formësimin e prozës shqiptare moderne.
Mitrush Kuteli nuk ishte vetëm shkrimtar. Ai ishte edhe ekonomist,studiues, eseist dhe përkthyes i shkëlqyer.
Veprat e tij u bënë udhërrëfyes për brezat e ardhshëm të letrësisë,falë gjuhës së pasur,stilit të veçantë poetik dhe përshkrimit të jetës shqiptare me një realizëm të thellë,të përzier mjeshtërisht me motive mitike e legjendare.Proza e Kutelit është ndryshe. Ajo nuk ndjek rrugët e zakonshme të tregimit, por hap dritare të reja drejt shpirtit shqiptar,drejt rrënjëve tona kulturore dhe shpirtërore.
Në çdo faqe të shkruar, ai sjell jo vetëm historinë e personazheve të tij, por edhe frymën e një Shqipërie që jeton midis reales dhe së mrekullueshmes.Ndër veprat më të njohura të tij përmendim:
• Net shqiptare (1942), një përmbledhje tregimesh që risolli në letërsinë shqipe frymën e rrëfimit tradicional dhe koloritin e folklorit shqiptar,
• Ago Jakupi (1943), një tregim që pasqyron me mjeshtëri gjendjen shpirtërore dhe sociale të kohës,
• Kapllan Aga i Shaban Shpatës (1944), një prozë e fuqishme që i jep zë dramës së tokës dhe njeriut shqiptar,
• si dhe përmbledhjen poetike Këngë e brishtë, ku ndjeshmëria poetike e autorit merr një formë intime dhe të veçantë.
Kontributi i Mitrush Kutelit nuk u ndal vetëm në krijimtarinë origjinale.Ai solli në gjuhën shqipe një sërë autorësh të letërsisë botërore duke ndërtuar ura mes kulturave dhe pasuruar fondin e përkthimeve letrare me cilësi të rrallë.Falë përkthimeve të tij, letërsia shqipe fitoi një dritare të re drejt botës.
Mitrush Kuteli u nda nga jeta në vitin 1967,por zëri i tij letrar vijon të dëgjohet qartë edhe sot.Ai mbetet një nga ata autorë që nuk lexohet vetëm për historinë, por për fuqinë artistike,për gjuhën, për thellësinë dhe për atë ndjesi të rrallë që të lë kur e mbyll librin e tij se ke qenë në një botë tjetër, shqiptare dhe magjike njëkohësisht.
Në këtë përvjetor,le ta kujtojmë jo vetëm si një emër të madh të letërsisë,por si një zë të gjallë që na flet ende për ne dhe për Shqipërinë që ai deshi dhe përshkroi me aq dashuri.