Shkëlqimi i fjalës së shkruar në Ulqin ,ndahen Çmimet e Panairit të 24-t të Librit “Ulqini 2025”

Mbrëmjen e 29 korrikut 2025 ,skena e Panairit të Librit në Ulqin u shndërrua në një tempull të nderimit për fjalën e shkruar, ku u zhvillua ceremonia solemne e ndarjes së çmimeve të edicionit të 24-t të këtij manifestimi letrar ,një nga më jetëgjatët dhe më të rëndësishmit në gjithë trevat shqiptare.Në prani të shkrimtarëve, studiuesve dhe dashamirësve të librit nga hapësira mbarëshqiptare e më gjerë, drejtoresha ekzekutive e Panairit, zj. Irena Toçi, dhe kryetari i jurisë, studiuesi Liridon Mulaj, përshëndetën të pranishmit dhe ndanë me ta vizionin dhe përgjegjësinë që sjell përzgjedhja e veprave më përfaqësuese të vitit.

Ceremonia nisi me ndarjen e Mirënjohjeve për personalitete të spikatura të letrave dhe kulturës, ku u vlerësuan,Pashko R. Camaj, shkrimtar dhe nënkryetar i Shoqatës “Vatra” në SHBA, për kontributin e tij në ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë,Andrej Nikolaidis, shkrimtar i njohur malazez, për afërsinë dhe urat që krijon mes kulturave,Shkëlzen Zalli, poet i nderuar pas vdekjes për trashëgiminë e tij letrare të paharruar.

Në vazhdim, u ndanë çmimet kryesore të këtij edicioni.Çmimi “Dega e Ullirit”, i cili nderon letërsinë për fëmijë, iu dha dy autoreve të spikatura,Meliza Krasniqi, për librin “Nexhmije Pagarusha ,”Dnë jam bilbili i Kosovës” ,një homazh i ndjerë për ikonën e muzikës shqiptare,Elia Zaharia, për librin “Perla dhe dreri i artë” ,një përrallë bashkëkohore që frymëzon imagjinatën dhe ndjeshmërinë e fëmijëve.Çmimi “Servantes” për përkthim iu dha Durim Taçit për mjeshtërinë me të cilën solli në shqip romanin klasik “Portokall me kurdisje” nga Anthony Burgess, një vepër sfiduese e letërsisë moderne.Çmimi “Olcinium” për veprën më të mirë studimore shkoi për Behar Gjokën dhe veprën e tij “Petro Marko, shkrimtari i lirisë”, një studim i thellë për një nga figurat më të ndritura të letërsisë shqiptare të shekullit XX.

Çmimi “Liburnia” për veprën më të mirë në prozë u akordua për akademikun dhe shkrimtarin Mehmet Kraja, për vëllimin me tregime “Histori të ëndrrave të hershme”, një gërshetim magjepsës i realitetit dhe metafizikës së kujtesës.Ceremonia u përshëndet edhe nga zyrtarë të lartë dhe përfaqësues diplomatikë. Nënkryetari i Komunës së Ulqinit, z. Petar Delic dhe ambasadorja e Shqipërisë në Mal të Zi, znj. Zhaklina Peto, theksuan rolin jetik të librit në ndërtimin e urave kulturore dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar dhe rajonal.

Para ndarjes së çmimeve u zhvillua një takim letrar i veçantë kushtuar poetes së njohur malazeze Dragana Erjavsek, nën moderimin e gazetarit Ismet Kallaba, duke sjellë një moment reflektimi dhe dialogu mes kulturave.Panairi i 24-t i Librit “Ulqini 2025”,organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit ,Tiranë dhe Komuna e Ulqinit, me mbështetjen e Ministrisë së të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave të Malit të Zi dhe Organizatës Turistike të Ulqinit, dëshmoi sërish se fjala e shkruar mbetet një nga themelet më të forta të identitetit dhe bashkëjetesës në Ballkan.
Me vizion, përkushtim dhe nivel të lartë artistik, ky edicion vulosi edhe një herë rëndësinë e Ulqinit si një qendër të gjallë të kulturës, ku libri jo vetëm lexohet, por nderohet.

 

 

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Balluku: Rrjeti i ri 20 kV në Velipojë, më shumë siguri energjetike për banorët dhe turistët

Velipoja është shndërruar në një qendër të rëndësishme ekonomike...

Ursula von der Leyen viziton sot Kosovën, takime me Osmanin dhe Kurtin

Në kuadër të turit në Ballkanin Perëndimor, Presidentja e...