Shqiptarë nga Amerika dhe vende të ndryshme të Evropës u mblodhën sot në Hagë për një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Protesta do të zhvillohet në afërsi të ndërtesës së gjykatës për arsye sigurie dhe pritet të nisë në orën 14:00. Protestuesit kanë përgatitur pankarta me mesazhe në gjuhën angleze, të drejtuara për Gjykatën Speciale dhe Bashkimin Evropian. Disa autobusë u nisën nga Kosova.
Kjo protestë ndodh një ditë para dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Më 15 shtator, në sallën e gjyqit pritet të paraqitet James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit gjatë luftës në Kosovë. Pas tij, do të dëgjohen edhe dëshmitarë të tjerë nga SHBA dhe Britania, fillimisht për Thaçin dhe më pas për Jakup Krasniqin.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pas mbylljes së dëshmive nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, që kishte prezantuar 125 dëshmitarë dhe mbi 130 dëshmi të shkruara. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”. Mbrojtja i mohon akuzat, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.



