TIRANË ,28 nëntor 2026/Albania Express News/-Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me episodet e dhunës të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar sot në kryeqytet, në ditën e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në reagimin e tij, UGSH dënon si aktet e dhunës ndaj institucioneve, ashtu edhe lëndimin e qytetarëve, punonjësve të policisë dhe veçanërisht të gazetarëve e operatorëve që po kryenin detyrën e tyre profesionale në terren.
Organizata përfaqësuese e gazetarëve shpreh solidaritet të plotë me kolegët e lënduar, mes të cilëve, sipas raportimeve mediatike, gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka. Njëkohësisht, UGSH kërkon nga Policia e Shtetit hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësive për incidentet e ndodhura.
Në deklaratë theksohet se gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë të identifikueshëm gjatë gjithë protestës, duke mbajtur shenjat dalluese të profesionit, ndaj çdo pretendim për mosidentifikimin e tyre konsiderohet i papranueshëm.
UGSH i drejton gjithashtu një apel Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organeve të Prokurorisë për reagim të shpejtë ligjor.
Më poshtë deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
REAGIM I UNIONIT TË GAZETARËVE SHQIPTARË
Dënojmë aktet e dhunës dhe lëndimin e gazetarëve nga punonjës dhe mjete të Policisë së Shtetit, si dhe sulmet dhunuese mbi institucione, në ditën e festës kombëtare të Pavarësisë
Tiranë, më 28.11.2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dëshiron të urojë në këtë ditë gjithë shqiptarët:
Gëzuar ditën e shpalljes së Pavarësisë!
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh keqardhjen që përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në ditën e ngritjes së flamurit në Tiranë, po shndërrohet në një betejë shqiptarësh kundër shqiptarëve, policisë kundër protestuesve dhe protestuesve në sulm kundër disa institucioneve, si ministri dhe selia e Bankës Kombëtare të Shqipërisë.
Imazhet e ditës së sotme në Tiranë janë pjesë e një realiteti që e ka sjellë politika dhe e përdor politika.
Në episodet e dhunshme, të goditjes me bomba Molotov, me plumba gome apo me ujë me presion, janë lënduar qytetarë dhe pak policë dhe, për turp, edhe punonjës të mediave.
UGSH dënon me forcë çdo akt dhune dhe banditizmi, sikundër edhe papërgjegjshmërinë ndaj goditjeve në drejtim të gazetarëve apo punonjësve të mediave. Nga raportimet e mediave, mes të lënduarve janë edhe gazetari Elkier Bushkolaj dhe operatori Ardian Muka.
UGSH shpreh solidaritet të plotë me kolegët dhe kërkon nga Policia e Shtetit hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së autorëve të këtij lëndimi.
UGSH vëren se gjatë gjithë orëve të protestës gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë të identifikueshëm dhe të pajisur me shenjat dalluese dhe, për këtë arsye, çdo pretendim për mosvënie re apo mosidentifikim është i papranueshëm.
UGSH apelon për gjithë kolegët për kurajo dhe solidaritet të fuqishëm, sikundër presim reagimin e shpejtë ligjor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe organet e Prokurorisë.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

