Sportistët e ekipit të notit të Elbasanit konfirmojnë nivelin e tyre në një aktivitet kombëtar të formatit Open, duke siguruar disa vende të dyta dhe të treta në garat individuale dhe ato në stafetë.
ELBASAN ,26 nëntor 2026 | Albania Express News/-Ekipi i notit të Elbasanit ka regjistruar një paraqitje shumë pozitive në aktivitetin sportiv “Kupa e Pavarësisë”, duke u dalluar për rezultatet e arritura në garat individuale dhe ato në stafetë.
Në këtë kompeticion të zhvilluar në formatin Open, sportistët konkurruan pa ndarje sipas grupmoshave, duke përballur në të njëjtat gara notarë fëmijë, të rinj dhe të rritur. Pavarësisht konkurrencës, përfaqësuesit e Elbasanit arritën të siguronin disa rezultate të rëndësishme, duke dëshmuar përgatitjen dhe potencialin e tyre sportiv.
Protagonistja e këtij aktiviteti ishte notarja Ajlin Talelli, e cila realizoi një paraqitje të shkëlqyer, duke fituar katër vende të dyta në disiplinat:

- 100 metra delfin;
- 200 metra delfin;
- 100 metra katërnotim;
- 200 metra katërnotim.
Një tjetër rezultat të spikatur regjistroi edhe Jakobo Xhindoli, i cili u rendit në vendin e dytë në garën e 200 metrave delfin.
Sukseset u kompletuan edhe në garat e stafetave, ku ekipi i Elbasanit arriti këto pozicione:
- Vendi i dytë në stafetën 4 × 50 m katërnotim për femra.
- Vendi i tretë në stafetën 4 × 50 m stil i lirë për femra.
- Vendi i tretë në stafetën 4 × 100 m stil i lirë për femra.
- Vendi i tretë në stafetën 4 × 100 m stil i lirë për meshkuj.

Këto rezultate përbëjnë një tregues pozitiv për punën që po zhvillohet me ekipin e notit të Elbasanit dhe përkushtimin e sportistëve në përgatitjet e tyre.
Merita për këtë përfaqësim dinjitoz shkon edhe për trajnerin Andi Kongoli, i cili vijon punën për përgatitjen dhe zhvillimin e notarëve, duke synuar rezultate gjithnjë e më të mira në aktivitetet sportive.
“Kupa e Pavarësisë” u kthye kështu në një tjetër mundësi për të dëshmuar se Elbasani ka talente dhe potencial në sportin e notit.
Urime notarëve, trajnerit Andi Kongoli dhe të gjithë atyre që kontribuojnë në zhvillimin e këtij sporti! Sukseset në pishinë janë krenari për Elbasanin dhe një motivim për brezat e rinj.


