Konferenca e Parë Shkencore Ndërkombëtare “Nga tradita në vijimësi – Shkencat humane dhe realitetet e reja” sjell në Elbasan studiues, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve universitare. Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu: “Tradita nuk është një kthim pas në kohë. Ajo është një pikë referimi, mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen”.
ELBASAN ,26 nëntor 2026/Albania Express News/-Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” po zhvillon Konferencën e Parë Shkencore Ndërkombëtare me temë “Nga tradita në vijimësi – Shkencat humane dhe realitetet e reja”, një aktivitet dyditor që vendos në qendër të debatit akademik raportin ndërmjet trashëgimisë kulturore, zhvillimeve shkencore dhe transformimeve të shoqërisë bashkëkohore.
E organizuar nga Fakulteti i Shkencave Humane, në datat 26–27 nëntor 2026, konferenca ka mbledhur studiues, pedagogë, akademikë dhe përfaqësues të institucioneve universitare nga Shqipëria dhe hapësira të tjera akademike ndërkombëtare. Qëllimi është krijimi i një platforme të përbashkët për shkëmbimin e ideve, prezantimin e kërkimeve shkencore dhe ndërtimin e bashkëpunimeve të reja ndërinstitucionale.
Në ceremoninë e hapjes, një mesazh të rëndësishëm përcolli Rektorja e Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, e cila e konsideroi këtë konferencë një nismë me rëndësi të veçantë për jetën akademike të institucionit dhe zgjerimin e dimensionit ndërkombëtar të kërkimit shkencor.
Në fjalën e saj përshëndetëse, ajo u ndal veçanërisht te sfida e ruajtjes së identitetit kulturor dhe intelektual në një periudhë kur teknologjia, inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën e komunikimit, të të nxënit dhe të marrëdhënieve njerëzore.
“Tradita nuk është një kthim pas në kohë. Ajo është një pikë referimi, mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen”, theksoi Rektorja Fetahu, duke nënvizuar se shkencat humane kanë një rol thelbësor në kuptimin e shoqërisë, ruajtjen e identitetit dhe orientimin e zhvillimeve të reja.
Sipas saj, përparimi nuk mund të matet vetëm me shpejtësinë e inovacionit apo me mundësitë që ofron teknologjia. Ai duhet të vlerësohet edhe në raport me ndikimin që këto zhvillime kanë te njeriu, dinjiteti i tij, liria e mendimit, identiteti kulturor dhe bashkëjetesa shoqërore.
Në këtë kontekst, ajo vlerësoi rëndësinë e gjuhësisë, letërsisë, historisë, filozofisë dhe komunikimit si disiplina që nuk kanë vetëm funksionin e ruajtjes së trashëgimisë, por janë pjesë e rëndësishme e debatit për të ardhmen.
Elbasani, nga Shkolla Normale e vitit 1909 te universiteti modern
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së saj, Rektorja Elvira Fetahu ia kushtoi historisë arsimore dhe intelektuale të Elbasanit, duke e lidhur organizimin e kësaj konference me traditën e gjatë të qytetit në zhvillimin e arsimit kombëtar.
Ajo rikujtoi rolin historik të Shkollës Normale të Elbasanit, e themeluar në vitin 1909, e cila u shndërrua në një nga institucionet më të rëndësishme të formimit të mësuesve dhe të zhvillimit të mendimit arsimor shqiptar.
Për të ilustruar këtë vizion historik, Rektorja solli në vëmendje fjalët e drejtorit të parë të Normales, atdhetarit Luigj Gurakuqi:
“Elbasani, sikundër asht mezi i Shqipnisë landore, ashtu do të jetë edhe mezi i Shqipnisë mendore.”
Një thënie që, sipas saj, nuk përfaqëson vetëm aspiratën e një periudhe historike, por mbetet një vizion domethënës për rolin që arsimi dhe dija duhet të kenë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Fetahu theksoi se Normalja nuk ishte thjesht një institucion arsimor, por një qendër e rëndësishme e formimit kombëtar, kulturor dhe intelektual. Të rinjtë që vinin nga treva të ndryshme shqiptare kontribuuan jo vetëm në formimin e brezave të mësuesve, por edhe në pasurimin e jetës publike dhe kulturore të Elbasanit.
Kjo trashëgimi vijoi me themelimin e Institutit të Lartë Pedagogjik në vitin 1971 dhe më pas me krijimin e Universitetit të Elbasanit në vitin 1991, institucion që trashëgoi dhe zgjeroi misionin arsimor, shkencor dhe kulturor të pararendësve të tij.
“Kur flasim për Universitetin e Elbasanit, nuk flasim vetëm për një institucion të arsimit të lartë të themeluar në vitin 1991. Flasim për një vazhdimësi historike dhe intelektuale, rrënjët e së cilës shtrihen në traditën e Normales”, nënvizoi Rektorja.
Katër përvjetorë të rëndësishëm për identitetin institucional
Konferenca merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet në një vit me disa përvjetorë të rëndësishëm për historinë e Universitetit të Elbasanit.
Gjatë këtij viti akademik, institucioni shënon:
- 55-vjetorin e themelimit të Institutit të Lartë Pedagogjik të Elbasanit;
- 35-vjetorin e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”;
- 30-vjetorin e botimit të Buletinit Shkencor;
- 15-vjetorin e themelimit të Qendrës Albanologjike dhe Ballkanologjike pranë Fakultetit të Shkencave Humane.
Duke u ndalur te këto përvjetorë, Prof. Dr. Elvira Fetahu theksoi se ato nuk janë thjesht data përkujtimore, por etapa të rëndësishme të një rrugëtimi ku tradita arsimore është ndërthurur me zhvillimin e kërkimit shkencor.
Vëmendje të veçantë ajo i kushtoi Buletinit Shkencor të universitetit, i cili këtë vit shënon 30-vjetorin e botimit. Rektorja vlerësoi punën e akademikëve dhe studiuesve që kanë kontribuar ndër vite në vijimësinë e kësaj reviste, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për publikimin dhe shkëmbimin e rezultateve kërkimore.
Po ashtu, ajo vlerësoi kontributin e Qendrës Albanologjike dhe Ballkanologjike, e cila prej 15 vitesh kontribuon në studimin, dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë gjuhësore, historike dhe kulturore.
Rektorja theksoi se universiteti do të vijojë të mbështesë nismat që nxisin kërkimin shkencor, botimet akademike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtarizimin e veprimtarisë universitare.
Vlerësim për tetë personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë e universitetit
Një moment i veçantë i ceremonisë së hapjes ishte edhe ndarja e certifikatave të mirënjohjes për tetë personalitete, të cilët kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në historinë, zhvillimin dhe jetën akademike të Universitetit të Elbasanit.
Me këtë rast, Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu vlerësoi:
- Mustafa Karapinjalli;
- Emine Sadiku;
- Liman Varoshi;
- Riza Hasa;
- Bardhyl Graceni;
- Musa Vyshka;
- Tomorr Domi;
- Albert Riska.
Përmes këtij vlerësimi, universiteti shprehu mirënjohjen institucionale për kontributin e tyre dhe gjurmët e lëna në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të jetës akademike në Elbasan.
Rektorja bëri të ditur se vlerësimi do t’u përcillet personalisht dy prej personaliteteve, ndërsa në rastet e tjera certifikatat do t’u dorëzohen familjarëve, në shenjë respekti për veprën dhe trashëgiminë e tyre.
Dy ditë diskutime shkencore në tri makrofusha
Programi i konferencës është konceptuar në disa sesione plenare dhe paralele, të ndara sipas tri makrofushave kryesore: gjuhësi, histori, letërsi dhe media.
Në ceremoninë e hapjes, krahas Rektores Prof. Dr. Elvira Fetahu, përshëndetën pjesëmarrësit edhe Prof. asoc. dr. Jonela Spaho, Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin e Korçës “Fan S. Noli”; Prof. Dr. Naim Berisha, përfaqësues i Institutit Albanologjik të Prishtinës; Prof. asoc. dr. Merima Krijezi, drejtuese e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Beogradit; si dhe Prof. asoc. dr. Ardian Lami, Dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin e Elbasanit.
Pas ceremonisë së hapjes dhe seancës plenare, aktiviteti vijon me prezantimin e kumtesave shkencore, diskutimet dhe shkëmbimin e përvojave mes studiuesve.
Një hapësirë e posaçme i është kushtuar edhe medias, ndërsa programi përfshin gjithashtu një sesion të veçantë për shkrimtarin italian Dino Buzzati.
Punimet zhvillohen në gjuhët shqipe, angleze dhe italiane, duke i dhënë konferencës një dimension ndërkombëtar dhe duke krijuar mundësi për komunikim e bashkëpunim mes komuniteteve akademike.
Ditën e dytë, më 27 nëntor, do të vijojnë katër sesionet shkencore, me prezantime në fushat e gjuhësisë, historisë dhe letërsisë, për t’u përmbyllur me seancën përfundimtare dhe paraqitjen e konkluzioneve.
Një platformë për të ardhmen e shkencave humane
Në përfundim të mesazhit të saj, Rektorja Elvira Fetahu vuri theksin te nevoja për ta parë kërkimin shkencor si një proces të vazhdueshëm, që nuk kufizohet vetëm te prezantimi i punimeve, por duhet të prodhojë ide të reja, bashkëpunime dhe perspektiva afatgjata.
Sipas saj, vlera e një konference shkencore nuk qëndron vetëm te temat që trajtohen apo te numri i pjesëmarrësve, por mbi të gjitha te idetë që ajo nxit, pyetjet që ngre dhe bashkëpunimet që arrin të krijojë.
Ajo përgëzoi Fakultetin e Shkencave Humane, organizatorët, stafin akademik dhe të gjithë studiuesit pjesëmarrës, duke e cilësuar këtë konferencë si një dëshmi të vullnetit për ta zgjeruar kontributin shkencor të universitetit në hapësirën akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me këtë konferencë të parë shkencore ndërkombëtare, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” synon të forcojë profilin e tij kërkimor dhe të dëshmojë se trashëgimia arsimore e qytetit nuk është vetëm një kapitull i historisë, por një bazë mbi të cilën ndërtohen zhvillimi akademik, inovacioni dhe perspektiva e së ardhmes.
Nga Shkolla Normale e vitit 1909, te universiteti i sotëm dhe sfidat e inteligjencës artificiale, mesazhi që përcjell kjo konferencë është se zhvillimi i shoqërisë nuk mund të shkëputet nga kujtesa, kultura, identiteti dhe mendimi kritik.

