ELBASAN , 25 nëntor 2026 / Albania Express News /-Emigrimi i pronarëve dhe frika nga dëmtimi i pronës mbajnë jashtë tregut një numër të konsiderueshëm banesash në qytetin e Elbasanit . Pavarësisht apartamenteve të pabanuara, tregu imobiliar në këtë qytet vijon të regjistrojë rritje të çmimeve, ndërsa blerësit kryesorë mbeten emigrantët dhe familjet që financojnë përmes kredive bankare.
Tregu i pasurive të paluajtshme në qytetin e Elbasanit sipas agjentit imobilar Shpëtim Basha po përballet me një situatë kontradiktore. Ndërkohë që rreth 1500 apartamente rezultojnë të mbyllura dhe të pabanuara, çmimet e shitjes së banesave vijojnë të rriten, duke arritur në nivele që variojnë nga 1000 deri në 1300 euro për metër katror.
Sipas agjentëve imobiliarë, një nga arsyet kryesore që një numër i konsiderueshëm apartamentesh qëndrojnë jashtë tregut të qiradhënies është emigrimi i pronarëve. Shumë prej tyre jetojnë jashtë Shqipërisë dhe, megjithëse i mbajnë banesat në pronësi, nuk preferojnë t’i japin me qira.
Një tjetër faktor është shqetësimi për mirëmbajtjen e pronës dhe mundësia e dëmtimit të saj nga qiramarrësit. Kjo situatë bën që një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve të mbeten të mbyllura për periudha të gjata, pavarësisht kërkesës që mund të ketë tregu.
Por, ndryshe nga sa mund të pritej, numri i lartë i banesave të pabanuara nuk ka sjellë ulje të çmimeve. Përkundrazi, vlera e apartamenteve në Elbasan ka shënuar rritje, duke arritur deri në 1300 euro për metër katror, në varësi të zonës, cilësisë së ndërtimit dhe karakteristikave të pronës.
Agjentët imobiliarë vlerësojnë se në këtë tendencë ndikon edhe pozicioni gjeografik i Elbasanit dhe afërsia me kryeqytetin, çka e bën qytetin një alternativë për familjet që kërkojnë të blejnë banesa jashtë Tiranës.
Në këtë treg, një pjesë të rëndësishme të blerësve e përbëjnë emigrantët shqiptarë, të cilët investojnë kursimet e tyre në prona të paluajtshme, si dhe familjet që kanë mundësi të përballojnë blerjen përmes kredive bankare.
Një tjetër fenomen i vërejtur në sektorin e ndërtimit është ekzistenca e disa pallateve të mbetura përgjysmë ose të papërfunduara. Megjithatë, sipas agjentëve të tregut, këto raste nuk janë të përhapura dhe konsiderohen sporadike.
Vështirësitë financiare të subjekteve ndërtuese dhe pamundësia për të përballuar kostot e përfundimit të projekteve janë ndër shkaqet kryesore që çojnë në ndërprerjen e punimeve.
Kështu, tregu imobiliar në Elbasan paraqet dy realitete paralele: nga njëra anë, qindra e mijëra banesa që mbeten të mbyllura, dhe nga ana tjetër, çmime që vijojnë të rriten, duke e bërë blerjen e një apartamenti një investim gjithnjë e më të kushtueshëm për familjet.

