TIRANË , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka reaguar pas refuzimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për t’u paraqitur në Spitalin Memorial Fier, ku ishte planifikuar të kryente një ndërhyrje kirurgjikale më 23 nëntor.
Në reagimin e tij, Qalliu shprehet se Veliaj kishte kërkuar vazhdimisht kryerjen e operacionit, duke pretenduar se gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohej. Megjithatë, sipas drejtorit të institucionit të vuajtjes së dënimit, qëndrimi i kryebashkiakut ka ndryshuar pasi është njohur me datën e ndërhyrjes.
Qalliu pretendon se refuzimi i paraqitjes në spital është bërë me argumentin se Veliaj nuk ishte ende gati për operacionin.
Në deklaratën e tij, drejtori i Burgut të Fierit e cilëson këtë ndryshim qëndrimi si një kontradiktë me kërkesat e mëparshme të Veliajt dhe avokatit të tij.
“Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati!”, shprehet Qalliu.
Më tej, drejtori pretendon se kërkesat e përsëritura për ndërhyrjen kirurgjikale dhe refuzimi i mëvonshëm për t’u paraqitur në spital krijojnë një situatë që, sipas tij, synon të ushqejë pretendimet publike se Veliaj nuk po merr trajtimin e duhur shëndetësor nga institucionet shtetërore.
Çështja e trajtimit shëndetësor të Erion Veliajt në kushtet e paraburgimit vijon të jetë në qendër të debatit publik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të caktohet një datë e re për ndërhyrjen kirurgjikale.

