QAFË -THANË , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku pritet të takohet me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski.
Në fokus të takimit do të jetë inaugurimi dhe promovimi i sistemit të integruar të kontrollit kufitar me një ndalesë “One Stop Shop”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se sistemi është një transformim që do t’u vlejë miliona njerëzve që kalojnë në pikën kufitare të Qafë Thanës dhe shtoi se implementimi i tij do të bëhet edhe në pikat e tjera.
“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni.
Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi.
Ne kemi një shprehje në shqip: beso dhe kontrollo. Deri tani në këtë doganë ishim kontrollo, kontrollo, tani jemi beso, kontrollo.
Hapi tjetër beso, beso, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE.
Dua ta përforcoj kryeministrin maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku. Pa diskutim, njëra ndër to është të çojmë para Korridorin 8.
Në mbyllje, dua t’i bashkohem kryeministrit Mickoski për ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar më në fund këtë transformim që, siç thashë, do t’u vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë. Do të vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem.
Kam edhe një ankesë për Hristjanin. Përkthyesen më të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.

