Elbasan, Federata e Paqes Universale vlerëson Kryebashkiakun Gledian Llatja me Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin në promovimin e paqes dhe vlerave qytetare

Kryebashkiaku i Elbasanit Gledian Llatja u nderua këtë fundjavë në Teatrin “Skampa” për bashkëpunimin ndër vite me Federatën e Paqes Universale dhe mbështetjen në promovimin e traditave, kulturës, harmonisë dhe bashkëjetesës. Në të njëjtën veprimtari, shtatë personalitete të qytetit u shpallën “Ambasadorë për Paqe”.

ELBASAN – TIRANË , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Kontributi në promovimin e vlerave qytetare, kulturore dhe të bashkëjetesës është bërë motivi i një vlerësimi të veçantë për kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, nga Federata e Paqes Universale.

Në kuadër të aktiviteteve për muajin e Flamurit dhe Pavarësisë, në ambientet e Teatrit “Skampa” u zhvillua veprimtaria artistiko-kulturore me temë “Nëntori i Flamurit, Lirisë dhe Paqes – Elbasani, traditë, kulturë, bashkëjetesë dhe harmoni”, organizuar nga Federata e Paqes Universale dhe Këshilli Rajonal i Paqes Elbasan, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan.

Gjatë kësaj veprimtarie, kryebashkiaku Gledian Llatja u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje nga Federata e Paqes Universale, në shenjë vlerësimi për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndër vite.

Në motivacionin e certifikatës theksohet:

“Për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndër vite me Federatën e Paqes Universale, në promovimin e traditave, vlerave artistike, kulturore dhe patriotike të Elbasanit, si dhe në përhapjen e virtyteve të paqes, harmonisë, solidaritetit dhe bashkëjetesës, në shërbim të një shoqërie më të drejtë dhe paqësore.”

Vlerësimi për kryebashkiakun Llatja u shoqërua edhe me një tjetër moment të veçantë, atë të nderimit të ish-kryetarit të Bashkisë Elbasan dhe ish-nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Prof. Dr. Ardian Turku, gjithashtu me Certifikatë Mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe mbështetjen ndër vite.

Në këtë veprimtari morën pjesë rreth 120 personalitete të qytetit, Ambasadorë për Paqe, përfaqësues të institucioneve, miq dhe të ftuar të veçantë. Të pranishmit i përshëndetën kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, Prof. Dr. Ardian Turku dhe kryetari i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, Defrim Methasani.

Aktiviteti u moderua nga gazetari Fatmir Popja, njëherazi Kryetar i Këshillit Rajonal të Paqes Elbasan.

Një pjesë e rëndësishme e programit iu kushtua prezantimit të misionit të Federatës së Paqes Universale dhe lëvizjes së Ambasadorëve për Paqe. Sekretari i Përgjithshëm i FPU-së, Gani Rroshi, prezantoi parimet dhe angazhimin e kësaj organizate në promovimin e mirëkuptimit, solidaritetit dhe bashkëpunimit mes njerëzve dhe komuniteteve.

Shtatë personalitete të Elbasanit shpallen “Ambasadorë për Paqe”

Momenti kulmor i veprimtarisë ishte ndarja e titujve “Ambasador për Paqe” për shtatë personalitete të Elbasanit, të cilët janë vlerësuar për kontributin e tyre në fusha të ndryshme të jetës shoqërore dhe në shërbim të komunitetit.

Me këtë titull u nderuan:

  • Prof. Dr. Elvira Fetahu – Rektore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
  • Artin Kovaçi – Drejtues i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kulturës dhe Sportit, Elbasan.
  • Dr. Rezarta Saliu – Zëvendësdrejtore e Spitalit Rajonal Elbasan.
  • Elton Guranjaku – Drejtor Sportiv i AF Elbasani (2021–2026).
  • Ermira Zeneli – Drejtuese dhe mësuese me 25 vite përvojë në arsim.
  • Enea Jorgji – Gjyqtar ndërkombëtar i FIFA-s dhe UEFA-s.
  • Elton Alla – Koreograf dhe drejtues i grupit “ArtRevolution Dance”.

Përveç dimensionit institucional dhe qytetar, aktiviteti u shoqërua edhe me një program artistik, ku performancat e grupit të valleve “ArtRevolution Dance”, nën drejtimin e koreografëve Marigen Rama dhe Elton Alla, krijuan një atmosferë festive dhe emocionuese.

Një tjetër moment artistik ishte interpretimi i këngës “Moj e Bukura Arbëri” nga këngëtari i ri Arenc Abdiaj, duke përcjellë mesazhe të identitetit kombëtar, traditës dhe dashurisë për kulturën shqiptare.

Veprimtaria në Teatrin “Skampa” solli në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së historisë dhe vlerave kombëtare, por edhe nevojën për të kultivuar paqen, respektin, solidaritetin dhe harmoninë në jetën e përditshme.

Përmes vlerësimit të individëve që kontribuojnë në shoqëri dhe nxitjes së bashkëpunimit ndërinstitucional, Federata e Paqes Universale dhe Ambasadorët për Paqe synojnë të forcojnë urat e komunikimit dhe mirëkuptimit, duke përcjellë mesazhin se paqja dhe bashkëjetesa janë vlera që duhet të trashëgohen nga një brez te tjetri.

Nëntori në Elbasan, përtej festimeve kombëtare, u kthye kështu edhe në një mesazh vlerësimi për njerëzit dhe institucionet që kontribuojnë në jetën e komunitetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Më të bukurat gërma”, Kryeministri Rama uron shqiptarët për Ditën e Alfabetit

TIRANË , 22 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama...

Dita e Alfabetit Shqip, 118 vjet nga Kongresi i Manastirit

TIRANË , 22nëntor 2026/Albania Express News/-22 nëntori është Dita...