Ish-kryetarja e Kuvendit mbërriti gjatë seancës plenare, zhvilloi një bisedë me Bledi Çuçin dhe u ul në krah të deputetëve të Partisë Socialiste. Ende paqartësi nëse masa ndaj saj do të shtrihet edhe në grupin parlamentar.
TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Elisa Spiropali është rikthyer në sallën e Kuvendit të Shqipërisë pasditen e kësaj të mërkure, vetëm disa orë pas zhvillimeve politike që lidhen me përjashtimin e saj nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste.
Ish-kryetarja e Kuvendit mbërriti rreth orës 18:00, në një moment kur kryeministri Edi Rama kishte përfunduar fjalën e tij gjatë seancës plenare për projektbuxhetin e vitit 2027.
Spiropali u shfaq e buzëqeshur dhe, përpara se të merrte vendin në sallën e Kuvendit, shkëmbeu disa fjalë me deputetin socialist Bledi Çuçi.
Më pas, ajo u ul në vendin e saj mes deputetëve të Partisë Socialiste, pranë ish-kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Sipas pamjeve nga seanca, mes tyre nuk pati komunikim.
Prania e Spiropalit në krah të socialistëve vjen në një moment të tensionuar për pozicionin e saj brenda strukturave të Partisë Socialiste, pas vendimit për përjashtimin nga forumet drejtuese të partisë.
Megjithatë, një pikëpyetje mbetet ende e hapur: a do të kufizohet masa vetëm në strukturat drejtuese të PS-së apo do të ketë pasoja edhe në raport me grupin parlamentar socialist?
Në këtë fazë, nuk është bërë e qartë nëse Elisa Spiropali do të vijojë aktivitetin e saj parlamentar si deputete e Partisë Socialiste apo nëse do të ketë një zhvillim të ri në raportet e saj me shumicën parlamentare.
Zhvillimet e ardhshme pritet të qartësojnë nëse bëhet fjalë vetëm për një përjashtim nga forumet partiake apo për një krisje më të thellë politike mes Spiropalit dhe drejtimit të Partisë Socialiste.

