Ne,fëmijët e viteve’70 !

NGA SEJDIN CEKANI

TIRANË , 18 nëntor 2026/Albania Express News/-Si mjaft të tjerë të brezit tim, jam ai fëmija pak më shumë se dhjetëvjeçar i viteve ’70. I përkas një kohe që sot, kur e kujtoj, më duket sikur kishte një dritë tjetër. Jo pse ishte pa vështirësi apo se jeta ishte më e lehtë. Përkundrazi. Kishim pak, shpesh shumë pak. Por, çuditërisht, ajo që kishim, nuk na dukej varfëri. Kishim ndjesinë se jeta ishte e gjitha e jona.

Shkonim në shkollë më këmbë. Shpesh niseshim e ktheheshim vetëm, pa prindër që të na shoqëronin deri te dera, pa makina të parkuara rreth shkollës, pa merakun e pafund për sigurinë tonë. Merrnim me vete një copë bukë të spërkatur me ca pika vaji, ndonjëherë pak gjizë, dhe niseshim. Flokët i mbanim me ndarje anash, siç e kërkonte koha, ndërsa rrugës takonim shokët. Shkolla nuk ishte vetëm vendi ku mësonim, por pjesa më e natyrshme e jetës sonë.

Biçikleta ishte luks. Kur merrnim borxh një të tillë, ajo bëhej pasuria më e madhe e botës. Mësonim ta ngisnim, rrëzoheshim, gërvishtnim gjunjët e bërrylat, ngriheshim dhe vazhdonim sërish. Nuk kishte kush të na e fotografonte plagën, as kush të na pyeste dhjetë herë nëse na dhembte. Ndoshta kështu mësonim, pa e ditur, se rrëzimi nuk ishte fundi i rrugës që duhej të përshkonim.
Por vitet ’70 na mësonin edhe si të silleshim me të tjerët. Kur shkonim për vizitë në shtëpinë e dikujt, nuk preknim asgjë pa na e dhënë. Një karamele “Zana” ose një thelë portokalli e merrnim vetëm pasi na e përsërisnin: “Merri, se janë për ty”. Dhe, kur largoheshim, ndoshta mendonim me vete se, sikur të na ishin lutur edhe një herë, do ta kishim marrë edhe një tjetër.

Kjo ishte skofia jonë. Një fjalë që sot duket sikur po humbet nga fjalori dhe, bashkë me të, edhe nga sjellja.
Na mësonin të ishim të kujdesshëm me tjetrin, të mos e lëndonim me fjalë, të mos e përçmonim, të mos ushqenim urrejtje. Na thoshin se urrejtja dëmton më shumë atë që e mban brenda vetes, sesa atë që është objekt i saj. Nuk e dinim atëherë se këto ishin mësime për gjithë jetën.
Fëmijët e qytetit luanin në sheshet e pallateve, derisa binte muzgu. Ata të fshatit ktheheshin në mbrëmje me bagëtitë nga mali. Kishim botë të ndryshme, por një strehë të përbashkët. Ajo ishte shtëpia. Familja ishte qendra e jetës sonë, vendi ku ktheheshim gjithmonë.

Në shtëpi na prisnin nënat dhe gjyshet, të parat që ngriheshin në mëngjes dhe të fundit që shtriheshin në mesnatë për të fjetur. Krahët e tyre nuk njihnin lodhje. Ato ndoshta nuk dinin shumë për atë që sot e quajmë informacion. Por dinin gjëra që nuk shkruheshin në libra. Dinin sekretin e brumit, si mbahej tharmi në dollap dhe si punohej me duar, derisa të bëhej kulaçi i shijshëm. Dinin të zgjidhnin pulën më të mirë, të ushqenin kafshët, të dallonin në kopsht domaten apo bostanin më të ëmbël për fëmijët. Dinin të qetësonin një foshnjë që vuante nga dalja e dhëmbëve dhe të bënin petulla, aroma e të cilave mund të mbetej në kujtesë më gjatë se vetë shija. Këto gra nuk kishin shumë fjalë për dashurinë ndaj nesh. Ato e tregonin atë me punë.

Edhe shkolla ishte një botë më vete. Shkonim me dëshirë. Përveç mësimeve, mësonim edhe të punonim me duar. Djemtë mësonin si përdorej pinca, çekiçi e mistria. Vajzat mësonin qëndisjen, punimet me grep dhe ekonominë shtëpiake. Ishte një shkollë që nuk na mësonte vetëm të dinim, por edhe të bënim. Dhe, diku mes mësimeve, lojërave dhe korridoreve të saj, lindnin emocionet e para. Mbrëmjet e vallëzimit ishin ngjarje të shumëpritura. Një shikim mund të zgjaste më shumë se një bisedë dhe një buzëqeshje mund të mbahej mend për javë të tëra. Ishin dashuritë e para, të brishta e të pafajshme, të bukura pikërisht se nuk kishin nevojë për shumë fjalë.

Edhe dasmat e asaj kohe kishin një tjetër ngrohtësi. Kishim varfëri e vështirësi, por dinim të gëzoheshim. Kënga ishte pjesë e dasmave, po dhe pjesë e jetës. Mund të dëgjoje marangozin duke kënduar, bujkun që vërshëllente apo bukëpjekësin që nanuriste nën zë një melodi të vjetër. Njerëzit këndonin ndërsa punonin, tregonin histori dhe qeshnin së bashku.
Sot kemi shumë më tepër mundësi për të dëgjuar muzikë, por më rrallë dëgjojmë njerëzit duke kënduar. Ndoshta dhe kjo është një nga ato gjërat që i mungojnë kohës sonë. Kemi nëpër duar aq shumë mjete për të komunikuar, saqë ndonjëherë kemi harruar të flasim, e jo më të këndojmë apo të vërshëllejmë.

Ne nuk kishim telefona inteligjentë, videolojëra apo ekranin që na priste sapo hapnim sytë. Kishim librat. Ia merrnim borxh njëri-tjetrit dhe prisnim radhën për t’i lexuar. Kishim shëtitjet në natyrë, lumin dhe hurdhat ku laheshim në verë, rrugët e fshatit, sheshet e mëhallës dhe pasditet e gjata të verës, që dukej sikur nuk do të mbaronin kurrë.
Kishim edhe fqinjët. Hyrje-daljet nëpër shtëpitë e njëri-tjetrit ishin të zakonshme. Çdo derë hapej pa shumë ceremoni. Një fëmijë mund të hynte në shtëpinë e tjetrit dhe të dilte prej andej me një copë bukë në dorë. Ndonjëherë kafshonim edhe nga buka e shokut dhe ajo kafshatë ishte një shenjë miqësie.

Ishte bujaria e vogël e përditshme që na mësonte të ishim në krah të tjetrit, pa e ditur që kjo ishte virtyt.
Sot mund të jetosh për vite në një pallat dhe të mos dish kush banon pas derës përballë.
Atëherë një libër qarkullonte nga një dorë në tjetrën, një biçikletë bëhej pronë e përbashkët e disa fëmijëve dhe një lodër mund të kishte kaluar në duart e dikujt tjetër, përpara se të vinte tek ti. Ndoshta kjo është arsyeja pse një copë bukë e ndarë me një shok mund të kishte më shumë shije se një tryezë e mbushur plot.
Kur kujtojmë fëmijërinë, mbase nuk na vijnë ndër mend aq shumë gjëra, por ama njerëzit e asaj kohe nuk i harrojmë. Na vijnë fytyrat e nënave e të gjysheve, shokët, mësuesit, fqinjët që na thërrisnin në emër. Na vjen zëri i atij që këndonte duke punuar dhe kujtimi i shokut që ta zgjaste kafshatën e vet. Edhe rruga e gjatë për në shkollë, të cilën e bënim çdo ditë më këmbë, pa e ditur se një ditë do të na merrte malli edhe për të.

Nuk dua ta zbukuroj të shkuarën. Ajo kohë kishte kufizimet, mungesat dhe vështirësitë e veta. Por fëmijëria nuk matet vetëm me atë që mungon. Matet edhe me atë që të mbetet. Dhe neve na mbeti diçka që nuk blihet. Na mbeti dëshira për të mësuar, respekti për tjetrin, turpi i mirë për të mos prekur atë që nuk na takonte, libri nën jastëk dhe ndjenja se shtëpia ishte vendi ku gjithmonë mund të ktheheshe.
Ndoshta ky është edhe mësimi që sot e kuptojmë më mirë se atëherë. Pra, njeriu nuk bëhet i pasur nga ajo që grumbullon, por nga ajo që është në gjendje të ndajë me të tjerët.

Prandaj nuk do ta ndërroja fëmijërinë time me asnjë fëmijëri tjetër. Jo pse atëherë kishim më shumë, por, ndonëse kishim shumë më pak, dinim të ishim më pranë njëri-tjetrit. Dhe sot, kur kthejmë kokën pas, kuptojmë se ndoshta kjo ishte pasuria jonë e vërtetë.
Kështu ishim ne, fëmijët e viteve ’70. Pa e ditur, po mësonim një nga artet më të vështira të jetës: të gëzoheshim me pak, të donim pa shumë fjalë dhe të mos e harronim kurrë tjetrin.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME