Edi Rama: Objektiv mbyllja e negociatave brenda 2027-ës, pjesa tjetër i takon vendeve të BE-së

TIRANË , 11nëntor 2026 / Albania Express News /-Kryeministri Edi Rama tha sot se Shqipëria synon t’i përmbyllë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, duke e cilësuar këtë objektiv ambicioz, por të arritshëm.

Gjatë një takimi në Dublin (Irlandë), ku ishte i ftuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA), për të folur me një audiencë ekspertësh të Europës e Ballkanit dhe diplomatësh për temën “Udhëtimi Europian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama u shpreh se ky është një moment përcaktues për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, pasi vendi ndodhet përpara një mundësie reale për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

“Jemi në një moment tejet përcaktues të historisë sonë, sepse shohim jo vetëm horizontin, që ka qenë kështu gjithmonë, por shohim edhe një derë të hapur si një mundësi reale të vërtetë për të kaluar përtej, për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje evropiane. Është një moment kulmor që nuk ka ekzistuar deri jo shumë kohë më parë, në të cilin gjërat që dukeshin të pamundura, ngjajnë se janë të mundura dhe shpresoj që do ta kapim këtë moment dhe do të mundemi që ta kapërcejmë më së fundi kufirin që na ka ndarë nga Evropa për shumë e shumë kohë, të bëhemi pjesë e kësaj familje”, tha Rama.

Ai nënvizoi se Shqipëria duhet të bëjë maksimumin për të përmbushur pritshmëritë e palës evropiane dhe për të përmbyllur me sukses kapitujt e negociatave.

“Sigurisht që Evropa ka një proces të ndërlikuar vendimmarrjeje. Duhen 27 vende, dhe aty ka vende si Franca ku ratifikimi i traktatit të anëtarësimit për anëtarët e rinj duhet të marrë 2/3 e parlamentit apo të kalojë përmes referendumit e tjerë, e tjerë”, tha ai.

Megjithatë, theksoi Rama “ajo çfarë është më e rëndësishme është që t’ia dalim me sukses të mbyllim kapitujt dhe të përmbyllim me sukses negociatat. Sot për sot jemi në rrugë të mbarë dhe çdo gjë po ecën sipas rregullave dhe jemi edhe dakord me Komisionin për këtë”.

I pyetur nëse ambicia e qeverisë është përmbyllja e negociatave në vitin 2027, Kryeministri theksoi se ky kalendar është dakordësuar me Komisionin Evropian.

“Nuk do të kisha menduar kështu, nëse kalendari nuk do të ishte dakordësuar me Komisionin. Komisioni është i të njëjtit mendim që fundi i 2027-ës është ambicioz, por i mundur. Ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta realizuar në fund të 2027-ës”, tha Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME