Elbasani do të detyrohet sërish të bëjë ndryshime në formacion për shkak të mungesave që kanë shoqëruar skuadrën në këtë fillim sezoni. Stafi teknik nuk e ka pasur të lehtë të vendosë një njëmbëdhjetësh stabël, pasi dëmtimet dhe ndëshkimet kanë kufizuar alternativat në disa reparte. Kjo situatë pritet të ndikojë edhe në sfidën ndaj Dinamos, ku trajneri Gvozdenoviç do të duhet të improvizojë sërish për të mbajtur ekuilibrat në prapavijë.
Në këtë kuadër, Emiliano Musta pritet të ketë një rol të dyfishtë. Mbrojtësi i krahut, i cili ka eksperiencë dhe fleksibilitet për t’u përshtatur në disa pozicione, do të rikthehet të luajë si qendërmbrojtës, për shkak të mungesës së Lulajt dhe dëmtimit të Olberkis. Vendosja e tij në qendër shihet si një garanci për mbrojtjen verdheblu, duke i dhënë më shumë siguri skuadrës në përballjen me një kundërshtar të fortë si Dinamo.
Njëkohësisht, Musta do të mbajë edhe shiritin e kapitenit në krah, pas mungesës së Lulajt, duke e zëvendësuar këtë lojtar në të gjitha dimensionet. Për Gvozdenoviç, ky është një opsion i detyruar, por njëkohësisht edhe një zgjidhje që i jep skuadrës eksperiencë dhe stabilitet, në një ndeshje që pritet të jetë ndër më të vështirat e këtij fillim kampionati.
albaniaexpress.al