NGA KASTRIOT MYFTIU
Një vështrim mbi librin e Sejdin Cekanit

TIRANË , 10 nëntor 2026/Albania Express News/-Ka libra që lindin nga një projekt i menduar që më parë, madje edhe me një temë dhe strukturë të paracaktuar. Ndërkaq, ka edhe të tjerë që formësohen gradualisht, përgjatë një periudhe të gjatë vëzhgimi, përvoje profesionale dhe reflektimi. Në grupin e dytë bën pjesë edhe “Mes fjalës dhe kohës”, libri i Sejdin Cekanit, ku përmblidhen gjashtëdhjetë artikuj publicistikë, meditime dhe përshkrime.
Vetë titulli shpreh një marrëdhënie thelbësore ndërmjet fjalës si mjet komunikimi e mendimi, si dhe kohës si realitet shoqëror e historik, brenda të cilit fjala merr kuptim. Pikërisht në këtë hapësirë vendosen shkrimet e autorit. Ato kanë si zanafillë ngjarje të përditshmërisë, dukuri shoqërore, zhvillime politike dhe përvoja vetjake. Kështu, libri mund të lexohet edhe si një lloj ditari publicistik, ku reagimi ndaj aktualitetit ndërthuret me reflektimin për përgjegjësitë që duhet të kenë individi dhe shoqëria.
Një nga veçoritë e këtij vëllimi është larmia tematike. Pesë kapitujt, kushtuar kulturës gjuhësore, librit dhe medieve, problemeve sociale e politike, si dhe përshkrime e rrëfime për ngjarje të jetuara, krijojnë një hapësirë ku përvoja profesionale dhe vështrimi qytetar plotësojnë njëri-tjetrin.
Vendin më të rëndësishëm e zënë problemet e kulturës gjuhësore. Mund të veçohen këtu disa prej shkrimeve, si: “Standardi dhe identiteti në ligjërimin publik”, “A do të zëvendësohet redaktori nga inteligjenca artificiale?”, “Kujdes me fjalën, zonjë/zotëri!”, “Kur ngatërrohet kafeneja me studiot e televizioneve”, “Kallpazanët e shqipes”, “Varfërim i shqipes në emisionet kulturore”, “Letërsia si vetëkënaqësi kolektive”, etj. Për autorin, gjuha nuk është thjesht mjet shprehjeje, por një pasuri kulturore që kërkon kujdes, njohje dhe përdorim të përgjegjshëm.
Shqetësimi për cilësinë e ligjërimit publik, për mënyrën si flitet e shkruhet shqipja në media, por edhe në libra, lidhet natyrshëm me përvojën e tij shumëvjeçare si gazetar, publicist dhe redaktor. Kjo përvojë i jep vështrimit të tij një pikënisje konkrete. Pesha dhe vlerësimi i fjalës lidhen drejtpërdrejt me përdorimin e saj në jetën e përditshme. Përmes shembujve të ndryshëm, autori ngre shqetësimin për deformimet gjuhësore, përdorimin e pakujdesshëm të fjalëve, varfërimin e leksikut dhe cenimin e strukturës gramatikore. Ai ndalet edhe te përkthimet e dobëta nga gjuhët e tjera (“Argatët e përkthimit”, “”Xhevahire” përkthimesh”) dhe, mbi të gjitha, te mungesa e përgjegjësisë ndaj fjalës së shkruar e të folur, duke theksuar se mënyra si e përdorim gjuhën tregon shumë edhe për mënyrën si mendojmë. Prandaj, siç theksohet në libër, një gjuhë e varfëruar nuk përbën vetëm problem gjuhësor, por edhe kulturor, madje deri dhe problem qytetërimi.
Një tjetër pikë vështrimi e librit është jeta shoqërore. Autori ndalet te sjellje, qëndrime dhe dukuri që, sipas këndvështrimit të tij, meritojnë të diskutohen gjerësisht.
Në shkrime, si “Midis lirisë dhe abuzimit”, “Heshtja na mbyt, inati na përçan”, “Mediokrit duartrokasin veten”, “Inflacioni i “intelektualëve’”, “Kur ‘Po, zotëri!’ bëhet profesion”, “Zhvlerësimi i meritës”, “Guhakët e kohës së digjitalizimit”, “Sodoma shqiptare” etj., publicistika shfaqet si formë reagimi ndaj normalizimit të së papranueshmes dhe si përpjekje për ta nxitur lexuesin të mos e marrë realitetin si diçka që nuk mund të ndryshohet. Kritika, herë-herë e drejtpërdrejtë dhe polemike, buron nga shqetësimi për standardet e jetës publike, raportin ndërmjet vlerës dhe antivlerës, si dhe përgjegjësinë individuale në hapësirën e përbashkët shoqërore.
Në shkrimet me tematikë politike – “Ndeshtrashat e politikës”, “Rrëshqanorët e pushtetit”, “Dashuria fatale ndaj prijësit”, “Politika te ne – urrejtje e organizuar”, “Hienat e politikës dhe doçët e medieve”, “Ofiqari i përjetshëm” e disa të tjerë – vështrimi i autorit përqendrohet te zhvillimet dhe sjelljet që ndikojnë në jetën publike. Rëndësia e këtyre teksteve nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin ndaj një dukurie të caktuar, por edhe me përpjekjen për ta trajtuar atë si çështje që prek marrëdhënien e qytetarit me pushtetin, institucionet dhe normat e bashkëjetesës.
Një vëmendje të veçantë meriton edhe mënyra e të shkruarit. Në këto tekste fjala nuk duket e rastësishme. Ajo është zgjedhur me kujdes, ka peshë kuptimore dhe i përshtatet temës, natyrës së shkrimit dhe mënyrës së rrëfimit. Gjuha është e përmbajtur, e saktë dhe pa ngarkesa të panevojshme. Fjalitë janë shpesh të thukëta e lakonike, duke e përqendruar mendimin dhe duke i dhënë shprehjes densitet e forcë. Në disa prej shkrimeve me ngjyresë të theksuar polemike, kjo veçori bëhet edhe më e dukshme. Tekste si “Gjenerator i së keqes” dhe “Gërnjarët e politikës”, bie fjala, dallohen për fjalinë e shkurtër, ritmin e shpejtë dhe fuqinë shprehëse. Lakonizmi këtu nuk është thjesht zgjedhje formale, por një mënyrë për ta bërë mendimin më të drejtpërdrejtë dhe më të fuqishëm. Autori nuk e zgjat fjalën për të shtuar peshën e saj. Përkundrazi, përpiqet ta përqendrojë mendimin në një mënyrë shprehëse sa më të saktë dhe domethënëse.
Natyrisht, publicistika mbart këndvështrimin e autorit dhe nuk pretendon të jetë e shkëputur nga bindjet e tij.
Gjithsesi vlera e saj matet edhe me aftësinë për të argumentuar qëndrimin, për të nxitur mendimin dhe për të krijuar hapësirë për debat.
Krahas reagimit dhe polemikës, libri përmban edhe një regjistër më të qetë, meditativ e përshkrues. Në këtë grup bëjnë pjesë shkrime si “Bukuria e njeriut që lexon”, “Nga ‘Meshari’ te Kadareja”, “Dje i censuruar, sot i shpërfillur”, “Përtej detit dhe diellit”, “Heshtja fisnike” etj. Ato e zgjerojnë profilin e vëllimit duke e zhvendosur vëmendjen nga ngjarjet e përditshmërisë drejt përvojës së jetuar dhe kuptimit që ajo merr në vetëdijen e njeriut. Kështu, libri nuk kufizohet vetëm tek analiza e aktualitetit, por ruan edhe gjurmë të përjetimeve, kujtesës dhe vëzhgimit vetjak.
Për nga natyra e tyre, shkrimet e përmbledhura në këtë vëllim nuk kanë si qëllim të ndërtojnë ndonjë sistem teorik të publicistikës apo të bëjnë ndonjë interpretim shterues të realitetit shqiptar. Ato shfaqin më tepër një varg reagimesh dhe reflektimesh për çështje të ndryshme që lidhen nga një fill i përbashkët etik dhe kulturor. Kësisoj libri është një dëshmi e qëndrimeve të autorit për ngjarje e dukuri të caktuara, si dhe pasqyrë e shqetësimeve që e kanë shoqëruar atë në rrugëtimin e tij profesional e qytetar.
Vetë profili i Sejdin Cekanit është i lidhur ngushtë me këtë përmbajtje. Përvoja e gjatë në gazetari, në publicistikë dhe si redaktor e ka vënë atë në një marrëdhënie të vazhdueshme me fjalën, si në dimensionin e saj informues, ashtu edhe në atë kulturor e kritik. Kjo shpjegon vëmendjen që ai i kushton saktësisë së shprehjes dhe rolit të gjuhës në formimin e kulturës publike. Në të njëjtën kohë, shkrimet dëshmojnë dëshirën për të dalë përtej kufijve të profesionit dhe për të marrë pjesë në diskutimin e çështjeve që shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
Në hyrje të librit, autori shpreh bindjen se fjala mund të ndërtojë, por edhe të shkatërrojë; mund të ndriçojë, por edhe të mashtrojë. Ky pohim përmbledh një nga idetë qendrore të vëllimit: fjala asnjëherë nuk është krejt e pafajshme. Ajo mbart qëllimin, qëndrimin dhe përgjegjësinë e atij që e përdor. Për këtë arsye, shkrimi publicistik nuk mund të jetë vetëm reagim i çastit. Ai kërkon vetëdijesim për gjurmët që mund të lërë, por edhe respekt për lexuesin. Përgjegjësia për fjalën është një çështje e përhershme, që sot, në epokën e komunikimit masiv, bëhet edhe më e ndjeshme.
“Mes fjalës dhe kohës” është, në këtë kuptim, një përmbledhje që pasqyron një mënyrë të veçantë të vështrimit të realitetit përmes vëzhgimit, reagimit, polemikës dhe meditimit. Shkrimet e këtij libri e paraqesin autorin si një zë brenda kohës së vet, si një profesionist dhe qytetar që përpiqet ta kuptojë këtë kohë dhe të mbajë qëndrim ndaj saj.
Leximi i këtyre shkrimeve është edhe një ftesë për të reflektuar mbi cilësinë dhe peshën e fjalës publike, por edhe për përgjegjësinë që kemi ndaj saj. Aty gjejmë këmbënguljen për të argumentuar mendimin, shqetësimin e artikuluar dhe dëshirën për të mos mbetur indiferentë ndaj asaj që ndodh përreth.
Koha kalon dhe ngjarjet i zënë vendin njëra-tjetrës, ndërsa fjala e shkruar, kur mbështetet në përvojën dhe shqetësimin e sinqertë qytetar, mund të mbetet dokument i një kohe dhe dëshmi e mënyrës sesi ajo është përjetuar e gjykuar.
“Mes fjalës dhe kohës” është, mbi të gjitha, një përpjekje për ta shndërruar përvojën profesionale dhe vëzhgimin qytetar në fjalë të shkruar, me bindjen se të shkruash do të thotë edhe të mbash përgjegjësi për atë që thua.

