NGA ALEKSANDËR ÇIPA
TIRANË, 2 nëntor 2026 /Albania Express News/-Atlasi i gjeografisë së re të interesave diplomatike dhe gjeopolitike mes shteteve dhe rajoneve, mes kontinenteve dhe sidomos hapësirave gjeoekonomike është duke u rikompozuar. Bëhet fjalë për rikompozim me specifika herë të ruajtjes së trashëgimive e herë të rikonfigurimeve që ndryshojnë së paku me periudhën e dy-tre viteve më parë dhe që kanë qenë në stanjativitet prej disa dekadash rresht.
Në këtë kontekst duhet parë edhe turneu i ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, në këtë fund tetori të 2026. Ky itinerar nuk ka se si të mos shihet në fokusin e rikonfigurimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Natyrshëm ky tur ka të bëjë me përpjekjen reale të Kinës për forcim pozitash dhe konsolidim pranie në tri rrafshe: në atë diplomatik, ekonomik dhe strategjik në hapësira rajonesh.
Pavarësisht se turneu pati një itinerar në Bullgari, Kroaci dhe Mal të Zi, ai ishte i ndërthurur edhe me pjesëmarrjen në Samitin e Shtatë të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA).
Analistët diplomatikë ndërkombëtarë pothuajse dakordësohen se angazhimi real i Pekinit për forcim marrëdhëniesh me Europën Juglindore është brendi e një strategjie që mishërohet në zgjerim të lidhjeve infrastrukturore Azi-Europë dhe ka pashmangshmërisht për kontekst, promovimin e konceptit mbi multilateralizmin në kuadër global.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajic/foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Dy prej shteteve që përfshiu në turne ministri i Jashtëm i Kinës, përkatësisht Bullgaria dhe Kroacia, janë anëtare të BE dhe NATO-s, ndërsa Mali i Zi ende kandidat për në BE. Diplomatikisht kjo lexohet si një qasje që tejkalon tabutë e dikurshme, duke inkuadruar marrëdhënie jo vetëm me vende jashtë strukturave euroatlantike, por edhe me shtete pjesë e tyre.
Në këtë aspekt vizita në Kroaci e kryediplomatit kinez, merr kuptim të posaçëm. Ky vend është anëtar i BE-së dhe i NATO-s që ka edhe një rol specifik mes Europës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Interesat ekonomike kroate janë të lidhura edhe me projektet infrastrukturore rajonale. Po të kemi parasysh se kryesimbolika e bashkëpunimit me Kinën lidhet me Urën e Peljesacit, ndërtuar prej kompanisë kineze China Road and Bridge Corporation në partneritet bashkëfinancimi me Bashkimin Evropian.
Shumëkush e di se ky projekt nuk ka vetëm rëndësi për infrastrukturën dhe integritetin territorial të Kroacisë, por vlen si një shembull i ndërthurjes së kapitalit, teknologjisë ndërtimore dhe ekspertizës kineze me instrumentet financiare evropiane.
Në dialogimet me presidentin Zoran Milanović dhe kryeministrin Andrej Plenković, ministri Wang Yi konfirmoi vullnetin për thellim të marrëdhënieve dypalëshe, duke nënvizuar pohimet e palës kroate për zgjerim bashkëpunimi në energji, turizëm dhe fusha të tjera ekonomike. Nuk mund të mos theksohet fakti se këto takime në nivelet më të larta, lidhen me një shtet që është pjesë e arkitekturës politike dhe të sigurisë euroatlantike.
Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takua me kryeministrin e Bullgarisë, Rumen Georgiev Radev/Foto nga Ministria e Jashtme e Kinës
Bullgaria, në këtë marrëdhënie nuk mund të mos konceptohet si hallkë e këtij zinxhiri të interesit. Ajo është mbartëse dhe mishëron konkretisht një dimension të rëndësishëm në ardhmërinë e ndërlidhjeve euroaziatike. Pozita e saj në Detin e Zi, statusi i anëtares së BE-së dhe NATO-s si dhe zgjatimet infrastrukturore me Europën Qendrore dhe Ballkanin, përbëjnë vlerën e rolit të veçantë për të qenë partnere për Kinën.
Nuk ka dyshim se ndër çështjet e interesit madhor për Kinën në diskutimet me autoritetet e larta bullgare ka të bëjë me Korridorin e Mesëm, i njohur ndryshe si Rruga Ndërkombëtare e Transportit Trans-Kaspik, i cili lidh Kinën me Azinë Qendrore, Kaukazin e Jugut dhe Evropën përmes Detit Kaspik. Rëndësia e këtij korridori ka ndryshuar në kushtet e ndryshimeve gjeopolitike. Aq më tepër në kuadër të kushteve dhe shtimit të diversifikimit të akseve tregtare mes Azisë dhe Evropës. Sipas interesit kinez, ky aks përfaqëson një alternativë të rëndësishme për zgjerimin dhe fuqizimin e kapaciteteve, lidhjeve ekonomike dhe logjistike me tregjet evropiane. Natyrshëm që Bullgarisë i krijon mundësi për konsolidim pozicioni për t’u konfirmuar si nyje lidhëse mes Detit të Zi dhe tregut të Bashkimit Evropian. Në kontekstin e panoramës së sigurisë, veçanërisht në hapësirën e Detit të Zi, (ku lufta në Ukrainë ka ndikuar drastikisht në realitetin strategjik tregtar), për Bullgarinë ky dimension potencohet. Bullgaria ka interes të drejtpërdrejtë për sigurinë e transportit detar, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe stabilitetin rajonal. Nga ana e vet, Kina ka interes për ruajtjen e korridoreve të transportit dhe të zinxhirëve të furnizimit. Diskutimet bilaterale në këtë kuadër po kapërcejnë partneritetin tregtar tradicional, duke e orientuar drejt ndërlidhjes dhe lëmive të reja.
Brendi të re shkëmbimi dhe marrëdhëniesh shton edhe qëndrimi i kryediplomatit të Kinës në Malin e Zi. Pozita e veçantë gjeografike, nevojat për zhvillim infrastrukturor i këtij vendi të vogël me pozita favorizuese në raport me shtetet fqinje, kryesisht Serbinë, e shtojnë dimensionin e rëndësisë. Pozita në Adriatik e kanë tërhequr në marrëdhënie me Kinën për shkak të nevojave infrastrukturore. Është e njohur tashmë se autostrada Bar–Boljare, e financuar pjesërisht përmes një kredie nga Banka Kineze e Eksport-Importit dhe e ndërtuar nga kompani kineze, mbetet një shenjë e kryer e kësaj marrëdhënieje. Sfidat financuese, pafuqia për sipërmarrje financimesh të projekteve të mëdha dhe efektet për qëndrueshmëri të buxhetit publik të këtij vendi të vogël, kanë shtuar arsyet, që marrëdhënia Kinë-Mali i Zi të përcaktohet si rast interesant i ndërthurjes së interesave ekonomike me dimensionin financiar dhe atë gjeopolitik. Takimet e ministrit Wang Yi me presidentin Jakov Milatović, kryeministrin Milojko Spajić dhe ministrin e Jashtëm Ervin Ibrahimović konfirmojnë interesin e Pekinit për të ruajtur një partneritet afatgjatë me Podgoricën. Ndonëse Mali i Zi është qartë i përcaktuar për integrimin evropian, dhe e ka këtë proces, prioritetin strategjik të shtetit. Por për Pekinin, Mali i Zi mund të shërbejë si një pikë e rëndësishme e marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, duk e ditur se ky partner bashkëpunimin ekonomik e trajton për përfitime konkrete pa cenuar objektivat e integrimit evropian.
Turi i kryediplomatit Wang Yi në tre shtetet europiane nuk mund të shihet jashtë sfondit dhe qëllimit të pjesëmarrjes në Samitin e Shtatë të CICA-s, që u mbajt më 15 tetor në Baku të Azerbajxhanit. Duke qenë në statusin e përfaqësuesit special të Presidentit të Kinës, ka vlerë konfirmuese të rëndësisë që Kina i jep kësaj platforme shumëpalëshe.
Diplomatikisht Kina e sheh CICA-n si një platformë promovuese të koncepteve të sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme. Përqasja e turit në tre shtete dhe përfaqësimi në CICA, diplomatikisht forcojnë asocimin e ndërlidhjes euroaziatike.
Për Ballkanin Perëndimor dhe natyrshëm për Shqipërinë, këto zhvillime kanë rëndësi të drejtpërdrejtë. Projektet infrastrukturore në Kroaci, Mal të Zi etj., krijojnë një kontekst të ri për ndërlidhjen e rajonit me tregjet evropiane dhe aziatike. Madje edhe Korridori VIII, që lidh hapësirën Adriatiko-Joniane me Detin e Zi, merr rëndësi të shtuar. Shqipëria pragmatisht dhe nga pozita e vendit kandidat për në BE, duhet t’i vlerësojë këto zhvillime në funksion të interesave strategjike, duke kërkuar investime cilësore dhe zhvillim të infrastrukturës rajonale. Sidoqoftë pas kësaj vizite të ministrit të Jashtëm kinez, do të duket nëse kjo ofensivë diplomatike do të pasojë me thellim real të pranisë kineze në Evropën Juglindore dhe në hapësirën e gjerë euroaziatike.

