Presidenti Bajram Begaj dekreton reformën territoriale, zgjedhjet e 9 majit 2027 do të zhvillohen me 46 bashki

TIRANË, 2 nëntor 2026 /Albania Express News/-Presidenti i Republikës firmos ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale. Hapi i radhës pritet të jetë publikimi në Fletoren Zyrtare, ndërsa Partia Demokratike ka paralajmëruar kundërshtimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale të vendit, duke i hapur rrugë zbatimit të reformës së re territoriale.

Dekreti është firmosur më 31 tetor 2026, ndërsa kreu i shtetit ka zgjedhur të mos e shoqërojë vendimin me një argumentim të posaçëm, në një kohë kur reforma territoriale ka qenë në qendër të debateve politike dhe kundërshtimeve nga qytetarë e përfaqësues të pushtetit vendor.

Pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të ligjit, Shqipëria do të ketë një organizim të ri administrativ me 46 bashki, nga 61 që funksionojnë aktualisht.

Reforma u miratua nga Kuvendi në orët e para të mëngjesit të 9 tetorit 2026, me 85 vota pro, pas një seance të shoqëruar me debate dhe kundërshtime politike.

Ndërkohë, Partia Demokratike ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, duke e çuar kështu përplasjen për hartën e re territoriale edhe në planin institucional dhe juridik.

Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 me hartën e re

Një nga efektet kryesore të kësaj reforme do të jetë organizimi i zgjedhjeve të ardhshme vendore. Më 9 maj 2027, qytetarët shqiptarë pritet të votojnë për drejtuesit e 46 bashkive, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale.

Kështu, dekretimi nga Presidenti shënon një tjetër fazë në procesin e riorganizimit territorial të vendit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ligji do të përballet me një shqyrtim kushtetues përpara zbatimit të plotë të tij.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME