Rama emëron këshilltare për median Vlerë Gjakovën, strategjistja vjen nga Maqedonia e Veriut

E angazhuar më parë në Vetëvendosjen e Albin Kurtit, ka qenë kandidate për deputete në Kosovë. Do të koordinojë strategjitë e komunikimit me këshilltarët e medias në ministri.

TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/ – Kryeministri Edi Rama ka emëruar Vlerë Gjakovën në pozicionin e këshilltares për çështjet e medias, duke i besuar një rol në koordinimin e komunikimit dhe strategjive mediatike të institucioneve qeveritare.

Lajmi është raportuar nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, i cili, duke iu referuar burimeve qeveritare, bën të ditur se Gjakova e ka marrë zyrtarisht këtë detyrë rreth dy javë më parë.

Sipas raportimit, Top Channel ka siguruar edhe një komunikim elektronik të dërguar nga Vilma Guri, shefe e kabinetit në Kryeministri, drejtuar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Në këtë komunikim bëhet e ditur detyra e re e Vlerë Gjakovës dhe kërkohet që këshilltarët e medias në çdo ministri të zhvillojnë takime me të, për të prezantuar strategjitë përkatëse të komunikimit.

Kush është Vlerë Gjakova?

Vlerë Gjakova është e lindur në Maqedoninë e Veriut, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të jetës dhe angazhimit të saj profesional e ka zhvilluar në Kosovë.

Ajo ka qenë aktive në diskutimet publike për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri. Rreth tetë vite më parë iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 kandidoi për deputete nën siglën e kësaj force politike, fakt që e ka bërë publik edhe vetë në rrjetet sociale.

Në Shqipëri, Gjakova është bërë e njohur edhe për publikun televiziv përmes pjesëmarrjes në rubrikën “Rrethi Katror”, pjesë e emisionit “E Diell” në Top Channel, të moderuar nga Edi Manushi.

Formimi akademik dhe eksperienca profesionale

Në profilin e saj në LinkedIn, Vlerë Gjakova prezantohet si strategjiste e komunikimit, eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste, me 18 vite eksperiencë në strategjitë mediatike dhe marrëdhëniet me publikun.

Sipas të dhënave të publikuara në burime të hapura online, formimi i saj akademik përfshin disa fusha studimi.

Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Komunikim dhe Gazetari pranë Institutit Maqedonas për Media (MIM), si dhe studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.

Gjithashtu, ka dy diploma Master: një në Filozofi dhe Psikanalizë, pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke, dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike, pranë Universitetit Aristotel të Selanikut në Greqi.

Në karrierën e saj profesionale ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte për energjinë e rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara dhe të gjelbra, si dhe ekosistemet digjitale.

Ndër përvojat e saj të mëparshme përfshihet edhe puna si zëdhënëse dhe përfaqësuese e marrëdhënieve me publikun për EVN Maqedoni.

Ajo ka bashkëpunuar gjithashtu me Komunën e Çairit, organizatën VEPRO! (ACT), Coca-Cola Ltd Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN).

Përveç angazhimit profesional në komunikim dhe media, Vlerë Gjakova është aktive edhe në çështjet e të drejtave të njeriut dhe të drejtave civile, në lëvizjen feministe dhe në publicistikë.

Ajo ka kontribuar edhe në platforma mediatike, përfshirë Observatorin Evropian të Gazetarisë.

Emërimi i saj në Kryeministri vjen në një moment kur komunikimi publik dhe strategjitë mediatike të institucioneve qeveritare mbeten pjesë e rëndësishme e marrëdhënies mes qeverisë, medias dhe opinionit publik./Tch

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Arrestohet në Greqi 26-vjeçari shqiptar i kërkuar për vrasjen në Selanik, pritet ekstradimi në Shqip

TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/ – Një...

Aksident në Stravaj të Librazhdit, Benz-i përfundon në greminë 150 metra larg rrugës, pranë tij gjendet një pistolet

LIBRAZHD, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/-Një automjet tip...

Shqipëria synon 15,5 milionë turistë në vitin 2027, rritet kontributi i turizmit në ekonomi

TIRANË, 1 nëntor 2026 /Albania Express News/-Konsolidimi i sektorit...