TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ishte i pranishëm në Samitin Ballkanik të Ekonomisë Blu, në kuadër të Balkans Sea Fair, në Marina Orikum, për të diskutuar potencialin e turizmit detar dhe mundësitë që marinat e lundrimi krijojnë për ekonominë shqiptare.
“Me të ardhurat nga turizmi më shumë se të dyfishuara në tre vjet dhe netqëndrimet jashtë pikut veror të rritura me rreth 78%, synojmë ta kthejmë këtë ecuri në më shumë investime, shërbime cilësore dhe punësim për komunitetet bregdetare”, u shpreh ministri Gonxhja.
Sipas tij, ankorimi i më shumë jahteve që furnizohen dhe mirëmbahen në Shqipëri, do të thotë më shumë të ardhura për bizneset vendase dhe mundësi për familjet shqiptare gjatë gjithë vitit.
Balkans Sea Fair u zhvillua përgjatë tri ditëve, duke bashkuar lundrimin, aventurën, biznesin dhe argëtimin në bregdetin e Vlorës. Ky aktivitet synoi krijimin e mundësive për shkëmbime dhe bashkëpunime në fushën e turizmit detar, si dhe nxjerrjen në pah të mundësive që ofron bregdeti shqiptar përtej muajve tradicionalë të verës.

