Nga Sejdin Cekani
TIRANË, 09 tetor 2026 /Albania Express News/-Ky është një debat që po zhvillohet kohët e fundit në qarqe të ndryshme letrare, mes përkthyesve, redaktorëve, botuesve dhe të gjithë atyre që janë të përfshirë në jetën kulturore. Mendimet janë nga më të ndryshmet. Disa thonë se inteligjenca artificiale (IA) mund ta lehtësojë, madje deri në njëfarë mase ta zëvendësojë punën e përkthyesit, por jo atë të redaktorit. Disa përkthyes shprehen me shqetësim se, nëse përkthimin e merr përsipër IA-ja, atyre do t’u duhet të ndryshojnë profesion dhe të merren me redaktimin e përkthimeve të saj.
Por këtu lind një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a e zotëron çdo përkthyes formimin, përvojën dhe kompetencën e nevojshme për të bërë punën e një redaktori letrar? Njohja e dy gjuhëve, sado e mirë të jetë, nuk të bën automatikisht redaktor.
Të tjerë, më optimistë, ia besojnë inteligjencës artificiale jo vetëm përkthimin, por edhe redaktimin. Sipas tyre, teknologjia po përparon me ritme të shpejta dhe ndërhyrja njerëzore mund të bëhet e panevojshme. Por a mjafton që një tekst të jetë gramatikisht i saktë për t’u quajtur edhe i redaktuar mirë? A garanton kjo se është ruajtur besnikërisht mendimi i autorit dhe se gjuha është përdorur me mjeshtëri?
Përgjigjja, sipas meje, është jo.
Hëpërhë, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë si në përkthim, ashtu edhe në redaktim. Ajo mund të zbulojë gabime, të sugjerojë formulime, të vërë në dukje përsëritjet dhe të ofrojë zgjidhje të ndryshme gjuhësore. Por këto mundësi nuk duhen ngatërruar me zotërimin e plotë të profesionit.
Një gjë është të korrigjosh një fjali, tjetër gjë është të kuptosh nëse ajo fjali i përket vërtet autorit, nëse shpreh saktë mendimin e tij dhe nëse ruan frymën e veprës. Përndryshe, rrezikojmë të kemi jo vetëm përkthime artificiale, por edhe redaktime artificiale që «prodhojnë» një shqipe të njëtrajtshme, të mbushur me kalke gjuhësore, ndërtime të huaja dhe formulime që mund të duken të sakta në pamje të parë, por që nuk i përgjigjen natyrës së shqipes.
Një gjuhë e tillë mund të jetë e kuptueshme, por jo domosdoshmërisht e bukur, e pasur dhe shprehëse. Madje, nëse këto ndërtime përsëriten e përhapen pa u vënë në dyshim, rrezikojmë të varfërojmë mundësitë shprehëse të gjuhës sonë dhe ta shtyjmë atë drejt një përzierjeje të çuditshme strukturash e shprehjesh.
Në të vërtetë, një përkthim i arrirë nuk është thjesht zëvendësimi i fjalëve të një gjuhe me fjalët e një tjetre. Ai kërkon që vepra të shqipërohet me mjeshtëri, pa humbur kuptimin, stilin, ngjyrimin emocional dhe veçantinë e autorit.
Përkthyesi duhet të njohë jo vetëm gjuhën nga e cila përkthen, por edhe pasuritë shprehëse dhe leksikore të gjuhës shqipe. Ndërkaq, redaktori letrar ka për detyrë të mos cenojë identitetin krijues dhe stilistik të autorit. Mbi të gjitha, ai shërben si një urë lidhëse mes autorit ose përkthyesit dhe lexuesit, duke u kujdesur që teksti të ketë rrjedhshmëri, koherencë, qartësi dhe përshtatshmëri stilistike.
Por kjo nuk arrihet duke shtypur një buton në tastierë dhe duke ia lënë gjithçka në dorë inteligjencës artificiale.
Gjatë punës sime shumëvjeçare me redaktimin e librave, kam kuptuar se ndërhyrja në një tekst kërkon më shumë sesa njohjen e rregullave të drejtshkrimit dhe të gramatikës. Redaktori duhet të ketë kulturë të gjerë gjuhësore e letrare, ndjeshmëri stilistike, përvojë leximi dhe aftësi për të gjykuar se çfarë i duhet tekstit dhe çfarë duhet lënë ashtu siç është.
Ai, sigurisht, zgjedh fjalën më të përshtatshme, lëmon ndërtimin e fjalisë, shmang përsëritjet e panevojshme, heq fjalët parazitare dhe përmirëson pikësimin. Por, përpara se të ndërhyjë, duhet të kuptojë se çfarë ka dashur të thotë autori.
Një fjalë e pazakontë mund të jetë gabim, por mund të jetë edhe një zgjedhje e qëllimshme stilistike. Një përsëritje mund të jetë e tepërt, por mund të shërbejë edhe si mjet shprehës. Prandaj, redaktori i mirë duhet të dijë jo vetëm kur të ndërhyjë, por edhe kur të mos ndërhyjë.
Këtu qëndron një nga dallimet thelbësore mes korrigjimit mekanik dhe redaktimit letrar. Korrigjimi mund të identifikojë një gabim, ndërsa redaktimi kërkon të gjykojë nëse një zgjidhje është e përshtatshme për tekstin, për kontekstin dhe për autorin.
Një ndërhyrje mund ta bëjë fjalinë më të qartë, por njëkohësisht mund t’i heqë gjallërinë, ngjyrimin ose veçantinë. Nëse redaktori nuk e kupton këtë dallim, ai mund ta dëmtojë tekstin pikërisht në përpjekjen për ta përmirësuar.
Madje, në shumë raste, edhe proza, ashtu si poezia, ka ritmin e vet. Ky nuk krijohet vetëm nga gjatësia e fjalive, por edhe nga renditja e fjalëve, pauzat, shenjat e pikësimit, përsëritjet e qëllimshme, zgjedhja e një lidhëzeje apo parafjale, madje edhe nga një fjalë e vetme që ndryshon tingëllimin e gjithë fjalisë.
Nëse redaktori i rrafshon të gjitha fjalitë sipas një modeli të vetëm, teksti mund të bëhet formalisht më i rregullt, por edhe më i varfër artistikisht.
A mund t’i dallojë inteligjenca artificiale këto nuanca? Në shumë raste, ajo mund t’i identifikojë dhe të propozojë zgjidhje interesante. Megjithatë, nuk mund të garantojë një variant më të bukur, sepse ky i fundit kërkon jo vetëm njohuri gjuhësore, por edhe interpretim, ndjeshmëri dhe përgjegjësi profesionale.
Në këtë rast, mund të kujtojmë edhe mendimin e Umberto Ecos lidhur me rëndësinë e enciklopedisë kulturore në kuptimin dhe interpretimin e teksteve. Eco, i cili u nda nga jeta në vitin 2016, përpara shfaqjes së sistemeve të sotme gjenerative, si ChatGPT, e trajtonte gjuhën dhe kuptimin në lidhje të ngushtë me dijen kulturore, kontekstin dhe përvojën e lexuesit.
Nuk kemi arsye t’i atribuojmë atij gjykime të drejtpërdrejta për një teknologji që nuk e njohu në formën e saj të sotme. Megjithatë, qasja e tij na ndihmon të arsyetojmë nëse zotërimi i modeleve gjuhësore mjafton për ta kuptuar plotësisht një vepër letrare.
Sepse një tekst nuk është thjesht një varg fjalësh e fjalish. Ai mbart kujtesë historike, përvoja shoqërore, referenca kulturore, nëntekste dhe kuptime që jo gjithmonë shprehen drejtpërdrejt. Një aluzion historik, një shprehje dialektore, një ironi e hollë apo një fjalë e përdorur me kuptim të dyfishtë mund të humbasin nëse redaktori ose përkthyesi nuk e njeh kontekstin në të cilin dhe në kohën kur është krijuar teksti.
Inteligjenca artificiale mund të ofrojë informacion, të krahasojë përdorime dhe të sugjerojë interpretime. Por informacioni nuk është i njëjtë me gjykimin, ashtu si njohja e shumë varianteve nuk mjafton për të bërë zgjedhjen e duhur në çdo rast.
Redaktori duhet të vendosë se çfarë i shërben tekstit, çfarë e cenon atë dhe çfarë duhet diskutuar me autorin përpara se të bëhet ndonjë ndryshim.
Ndërkaq, do të ishte e gabuar ta shihnim inteligjencën artificiale vetëm si kërcënim. Ajo mund të jetë një mjet i dobishëm në punën e redaktorit, duke ndihmuar në zbulimin e gabimeve gjuhësore, evidentimin e përsëritjeve, krahasimin e varianteve dhe kryerjen e detyrave të tjera të ngjashme.
Në këtë mënyrë, redaktori mund të kursejë kohë dhe të përqendrohet te çështjet më të ndërlikuara gjuhësore, stilistike e kuptimore. Megjithatë, përdorimi i këtij mjeti kërkon kujdes. Nuk mund të pranohet që çdo sugjerim i IA-së të konsiderohet i saktë, apo që një formulim më i rrjedhshëm t’i qëndrojë domosdoshmërisht besnik stilit të autorit.
Nëse redaktori i pranon propozimet pa i shqyrtuar, ai heq dorë nga ushtrimi i profesionit të tij dhe kthehet në një njeri që miraton mekanikisht vendimet e makinës.
Për më tepër, përgjegjësia nuk mund t’i lihet një sistemi që jep sugjerime, por nuk merr përsipër përgjegjësi profesionale për librin që botohet. Autori, përkthyesi, redaktori dhe botuesi kanë role të ndryshme, por secili duhet ta dijë se çfarë po bën dhe çfarë përgjegjësie mban.
Teknologjia mund t’i ndihmojë, por nuk duhet të shndërrohet në një alibi për mungesën e kompetencës.
Prandaj, debati nuk duhet të shtrohet thjesht si një zgjedhje mes redaktorit dhe inteligjencës artificiale. Ajo që na intereson është se si mund të bashkëpunojnë të dyja, pa i ngatërruar rolet dhe pa cenuar cilësinë e tekstit letrar.
Redaktori që e njeh mirë profesionin e vet mund ta përdorë IA-në për të punuar më shpejt, por nuk duhet të lejojë që mjeti t’i diktojë gjykimin, shijen apo përgjegjësinë profesionale.
A do të zëvendësohet, pra, redaktori nga inteligjenca artificiale?
Mendoj se një pjesë e detyrave të redaktimit do të automatizohen gjithnjë e më shumë, disa procese do të kryhen më shpejt dhe, ndoshta, disa shërbime redaktimi do të ndryshojnë rrënjësisht.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se redaktimi letrar, në kuptimin e tij të plotë, do të bëhet i panevojshëm. Përkundrazi, sa më shumë tekste të përpunohen nga makinat, aq më e rëndësishme bëhet prania e një profesionisti që di të dallojë të saktën nga e pasakta, të natyrshmen nga e sforcuara, të bukurën nga e zakonshmja dhe zërin e autorit nga formulimi i standardizuar.
Redaktori i së ardhmes duhet të jetë i përgatitur për teknologjinë, por edhe më i vetëdijshëm për gjuhën dhe përgjegjësinë e vet.
Nuk i kërkohet të luftojë kundër inteligjencës artificiale, por të mos heqë dorë nga inteligjenca, përvoja dhe ndjeshmëria e tij njerëzore.


