“Nëse kontrolli është në rregull, pse fotografohet leja e hyrjes portuale?” Analisti dhe publicisti Klevi Elezi ngre alarmin për të dhënat personale në Portin e Durrësit

Durrës , 08 tetor 2026 /Albania Express News/-Një episod i ndodhur gjatë mëngjesit të sotëm në hyrje të Portit të Durrësit ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të të dhënave personale gjatë procedurave të kontrollit dhe sigurisë.

Analisti dhe publicisti Klevi Elezi denoncon faktin se gjatë kontrollit në hyrje të portit, atij i është fotografuar leja e hyrjes portuale. Përmes një reagimi publik, Elezi kërkon transparencë nga institucionet përgjegjëse lidhur me arsyen e fotografimit, qëllimin e përdorimit të të dhënave dhe mënyrën se si ato ruhen e administrohen.

“Nëse kontrolli fizik është në rregull, pse fotografohet leja e hyrjes?”, shtron si pyetje Elezi.

Sipas tij, gjatë mëngjesit të sotëm, në hyrje të portit, leja e hyrjes portuale iu fotografua nga personat që kryen kontrollin.

“Deri këtu, mund të thuhet se bëhet fjalë për një procedurë sigurie. Por lind një pyetje krejt e ligjshme: përse duhet të fotografohet dokumenti, nëse kontrolli fizik dhe verifikimi i lejes rezultojnë në rregull?”, shprehet Elezi.

Ai i referohet kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ngre një sërë pikëpyetjesh mbi bazën ligjore të këtij veprimi.

“Kush e ruan fotografinë e lejes? Për sa kohë? Kush ka akses tek ajo? Për çfarë qëllimi përdoret dhe mbi çfarë baze ligjore merret?”, pyet Elezi.

Sipas tij, siguria në një infrastrukturë strategjike si porti është e domosdoshme, por procedurat e sigurisë duhet të shoqërohen edhe me transparencë dhe respekt për privatësinë.

“Nëse ekziston një procedurë e përcaktuar, le të bëhet publike. Nëse fotografia është pjesë e një sistemi kontrolli, qytetari apo punonjësi ka të drejtë të dijë se çfarë të dhënash të tij po mblidhen dhe pse”, vijon reagimi.

Elezi e përmbledh qëndrimin e tij me kërkesën për një ekuilibër mes sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave personale: “Kontroll po. Siguri po. Por edhe transparencë dhe respekt për privatësinë.”

Në përfundim, Elezi kërkon që institucionet përgjegjëse të sqarojnë nëse fotografimi i lejeve të hyrjes në Portin e Durrësit është pjesë e një procedure standarde të sigurisë portuale dhe, nëse po, mbi çfarë baze ligjore kryhet ky veprim, për çfarë qëllimi përdoren të dhënat dhe si administrohen ato.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryeministri francez, Sébastien...

Gonxhja në Balkan Sea Fair: Turizmi dyfishoi të ardhurat në 3 vjet

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit,...