Prof .Dr Elvira Fetahu , Rektore e Universitetit “Aleksandër Xhuvani ” prezanton sfidat dhe risitë e vitit akademik 2026–2027 , 1300 studentë të rregjistruar në vitin e parë ,fokusi te cilësia , punësimi dhe ndërkombëtarizimi

Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” zgjeron ofertën akademike, modernizon laboratorët dhe forcon lidhjen me tregun e punës. Rritet edhe dimensioni ndërkombëtar përmes Erasmus+, projekteve evropiane dhe partneriteteve universitare

ELBASAN, 5 tetor 2026 /Albania Express News/- Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” nis vitin e ri akademik 2026–2027 me rreth 1300 studentë të regjistruar, duke ruajtur nivelin e interesit të një viti më parë dhe duke vendosur në qendër të zhvillimit akademik studentët, cilësinë e formimit, praktikën profesionale, punësimin dhe ndërkombëtarizimin.

Nën drejtimin e Rektores, Prof. Dr. Elvira Fetahu, UNIEL vijon konsolidimin e ofertës së tij akademike në pesë fakultete, me programe në nivelet Bachelor, Master, profesional dhe doktoraturë, si dhe me Programin e Integruar të Studimit në Drejtësi dhe programe të ofruara në gjuhën angleze.

Programet më të kërkuara, mjekësia, sporti, ekonomia dhe IT në krye

Të dhënat e regjistrimeve tregojnë se interesi i studentëve vazhdon të përqendrohet te programet që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimet e tregut të punës dhe profesionet me kërkesë të lartë.

Në nivelin Bachelor, programet më të preferuara janë:
1. Infermieri e Përgjithshme
2. Edukim Fizik dhe Sporte
3. Financë–Kontabilitet
4. Teknologjitë e Informacionit
5. Informatikë Ekonomike

Ndërsa në programet profesionale, më të kërkuarat rezultojnë:
1. Teknik Mjedisi
2. Teknologji Laboratori
3. Sekretar i Specializuar
4. Edukator 0–3 vjeç
5. Mekatronikë

UNIEL bën të ditur se programet e mësuesisë vijojnë të kenë një interes të qëndrueshëm krahasuar me vitet e mëparshme, megjithëse regjistrimet në to janë më të ulëta në raport me programet e tjera që aktualisht paraqesin interes më të madh.

Megjithatë, universiteti thekson se të gjitha programet e mësuesisë me rëndësi kombëtare do të jenë të hapura edhe gjatë këtij viti akademik.

Për studentët që ndjekin programet prioritare parashikohen gjithashtu bursa të financuara nga Qeveria Shqiptare, duke krijuar mundësi shtesë për mbështetjen dhe përfshirjen e studentëve në arsimin e lartë.

Nga auditori drejt profesionit, “Pakti UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”

Një prej risive dhe drejtimeve kryesore të vitit të ri akademik është forcimi i lidhjes mes universitetit dhe tregut të punës.

Në këtë kuadër, Universiteti i Elbasanit ka prezantuar “Paktin UNIEL për Praktikën dhe Punësimin”, një orientim institucional që synon të ndërtojë ura më të forta bashkëpunimi ndërmjet universitetit, institucioneve publike, sektorit privat dhe studentëve.

Pakti synon të zgjerojë mundësitë për praktika profesionale, t’u japë studentëve më shumë hapësira për përvojë konkrete pune dhe të lehtësojë kalimin nga auditorët drejt profesionit.

Kjo qasje synon që formimi universitar të mos mbetet vetëm në aspektin teorik, por të shoqërohet me përvojë praktike dhe kontakte më të drejtpërdrejta me institucionet dhe sipërmarrjet.

Laboratorë të rinj dhe investime në infrastrukturën universitare

Krahas zhvillimit akademik, UNIEL vijon procesin e përmirësimit të infrastrukturës dhe konsolidimit të cilësisë së programeve të studimit, në përputhje me kërkesat kombëtare dhe standardet evropiane të arsimit të lartë.

Investimet e realizuara përmes projekteve të financuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë sjellë laboratorë kërkimorë dhe eksperimentalë të rinovuar dhe modernë.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar fushave të shkencave natyrore, teknologjisë dhe shkencave teknike mjekësore.

Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, laboratorët e kimisë, biologjisë dhe fizikës, së bashku me laboratorët e specializuar në fushën e teknologjisë së informacionit, synojnë të krijojnë një formim më të orientuar drejt eksperimentimit dhe kërkimit shkencor.

Sipas universitetit, këto ambiente nuk do të jenë në funksion vetëm të studentëve, por do të vihen në dispozicion edhe të gjimnazeve të qytetit, duke krijuar mundësi për bashkëpunim më të hershëm me nxënësit dhe institucionet e arsimit parauniversitar.

UNIEL zgjeron dimensionin ndërkombëtar

Ndërkombëtarizimi mbetet një nga prioritetet e Universitetit të Elbasanit për vitet në vijim.

Përmes programit Erasmus+, marrëveshjeve me universitete partnere dhe projekteve ndërkombëtare, studentëve dhe personelit akademik u ofrohen mundësi për mobilitet, zhvillim profesional dhe bashkëpunim akademik.

UNIEL po zgjeron gjithashtu pjesëmarrjen në rrjete universitare në rajon dhe Evropë.

Universiteti ka marrë drejtimin e Balkan Universities Association (BUA), rrjet që përfshin 120 universitete partnere, ndërsa është bërë pjesë edhe e Forumit të Rektorëve të Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor.

Këto angazhime synojnë të krijojnë më shumë mundësi për bashkëpunim akademik, mobilitet dhe zhvillim profesional për studentët dhe pedagogët.

Dimensioni ndërkombëtar reflektohet edhe në praninë e studentëve nga hapësira të tjera shqipfolëse. Edhe këtë vit, studentë nga Presheva kanë zgjedhur Universitetin e Elbasanit për të vijuar studimet e tyre.

Në vijim, universiteti synon të rrisë edhe më tej numrin e studentëve ndërkombëtarë, përmes zgjerimit të ofertës akademike dhe forcimit të partneriteteve me universitete të huaja.

17 projekte ndërkombëtare dhe 9 projekte kërkimore kombëtare

Një tjetër shtyllë e zhvillimit të UNIEL është kërkimi shkencor.

Aktualisht, Universiteti i Elbasanit është pjesë e 17 projekteve ndërkombëtare të financuara nga Komisioni Evropian, si dhe e 9 projekteve kërkimore kombëtare, të financuara nga AKKSHI dhe Ministria e Arsimit.

Në këto projekte janë angazhuar personeli akademik dhe, për herë të parë gjatë këtij viti, edhe doktorantët, duke synuar rritjen e përfshirjes së brezit të ri akademik në kërkimin shkencor.

Universiteti vijon gjithashtu të kontribuojë në zhvillimin profesional të mësuesve përmes shkollave verore, aktiviteteve të formimit dhe trajnimeve për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar.

Rektorja Fetahu: Cilësia dhe përkushtimi janë çelësi

Në mesazhin e saj për vitin e ri akademik, Rektorja e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Prof. Dr. Elvira Fetahu, thekson rëndësinë e cilësisë, bashkëpunimit dhe kërkimit shkencor.

“Në Universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani’ besojmë se cilësia dhe përkushtimi janë çelësi për të ndërtuar një institucion që frymëzon, edukon dhe kontribuon realisht në zhvillimin e shoqërisë. Synimi ynë është të krijojmë një mjedis akademik ku dijet marrin formë përmes bashkëpunimit, kërkimit shkencor dhe angazhimit qytetar”, shprehet Rektorja Fetahu.

Universiteti “Aleksandër Xhuvani” e nis vitin e ri akademik afro 100 programe studimi

Në vitin e ri akademik 2026–2027, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” vijon të ofrojë një gamë të gjerë dhe të larmishme programesh studimi, duke krijuar mundësi të shumta për të rinjtë dhe studentët që zgjedhin arsimin e lartë në Elbasan. Për këtë vit akademik, universiteti ofron 32 programe Bachelor, 46 programe Master, 8 programe profesionale dhe 3 programe doktorature, krahas Programit të Integruar të Studimit në Drejtësi. Një tjetër dimension i rëndësishëm është ndërkombëtarizimi, me 8 programe studimi të ofruara në gjuhën angleze, duke zgjeruar mundësitë për një formim bashkëkohor dhe për përfshirjen e universitetit në hapësirën akademike ndërkombëtare.

Me nisjen e vitit akademik 2026–2027, UNIEL synon të forcojë profilin e tij si një qendër universitare me fokus te studenti, cilësia akademike, kërkimi shkencor, praktika profesionale, punësimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, duke e lidhur gjithnjë e më shumë arsimin universitar me nevojat e shoqërisë dhe të tregut të punës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

FRANCË – Pas trazirave, kryeministri Lecornu njofton vendosjen e shtetrrethimeve lokale

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Kryeministri francez, Sébastien...

Gonxhja në Balkan Sea Fair: Turizmi dyfishoi të ardhurat në 3 vjet

TIRANË, 19 tetor 2026 /Albania Express News/-Ministri i Turizmit,...