TIRANË, 4 tetor 2026 /Albania Express News/- Platforma online “Pasqyra e Flamingos/Flamingo Mirror” ka regjistruar mbi 127 mijë kërkime në 24 orët e para nga lançimi, sipas të dhënave të publikuara nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Ramës, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithashtu 3,397 kërkime për faqe, ndërsa platforma ka marrë 49 pyetje të reja nga përdoruesit.
Një tjetër shifër e bërë publike lidhet me sigurinë kibernetike. Kryeministri deklaron se platforma ka përballuar 122 sulme kibernetike, të ardhura nga 32 adresa të huaja, të cilat, sipas tij, janë zmbrapsur pa shkaktuar dëme.
Rama e ka cilësuar platformën si një hap drejt një forme të re transparence, duke shkruar se kjo është vetëm faza e parë e përballjes mes të dhënave dhe fakteve të qeverisjes dhe informacionit që qarkullon në rrjetet sociale.
“Ky është vetëm fillimi”, shkruan kryeministri, duke e lidhur platformën me synimin për të ofruar një burim alternativ verifikimi të informacionit mbi qeverisjen.
Shifrat e publikuara janë deklarime të kryeministrit për 24 orët e para të funksionimit të platformës.

