Drogë pranë shkollave në Tiranë, arrestohet 26-vjeçari nga Elbasani

Finalizohet operacioni “Perimetri” – dhjetëra doza të dyshuara kokainë dhe një armë e ftohtë sekuestrohen nga policia

TIRANË, 4 tetor 2026 /Albania Express News/- Një tjetër rast i dyshuar i tentativës për shpërndarje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në kryeqytet është goditur nga Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj të riut, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, si dhe një armë të ftohtë.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dyshohet se 26-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe më pas e kishte ndarë në doza, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për shitje në zona të ndryshme të Tiranës, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.

Operacioni është zhvilluar në kuadër të masave për goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë perimetrit të sigurisë së shkollave, një nga zonat e fokusuara të kontrolleve policore në kryeqytet.

Materialet procedurale në ngarkim të 26-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e dyshuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në sigurimin apo shpërndarjen e lëndës narkotike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME